Ekspozita e Marubit në Amsterdam, 54.600 vizitorë në dy muaj

Fotot e Marubit në Amsterdam kanë ngjallur një interes të jashtëzakonshëm. Bëhet e ditur se 54.600 vizitorë regjistron ekspozita “Dinastia Marubi- 100 vite të studios fotografike shqiptare”, në Muzeun e Fotografisë së Amsterdamit. Lajmin për numrin 54.600 vizitorë e jep kuratorja Kim Knoppers, duke njoftuar se vetëm në dy muaj ekspozim (16 shtator-27 nëntor) ekspozita ishte në vëmendje të publikut hollandez dhe të huaj, njëherësh pjesë e shtypit vendas dhe të huaj si Financial Times, BBC, British Journal of Photography, LFI News, Tages Anzeiger, Photojournalism noë, the Calvert Journal, Villa d’Arte, etj. Kjo ekspozitë prezantoi rreth 300 imazhe të përzgjedhura nga kuratorja e njohur Kim Knoppers në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Fotografisë  “Marubi”. Ekspozita në Amsterdam konsiderohet një hyrje në historinë e pasur fotografike të një vendi të izoluar evropian, që shpesh është neglizhuar. Rreth vitit 1850, jo shumë kohë pas shpikjes së fotografisë, italiani Pietro Marubi mbërriti në Shkodër. Aty ai ngriti studion e parë fotografike në rajon, duke përdorur procesin e pjatës së lagësht. E vendosur në godinën e re, te pedonalja e qytetit, tani Muzeu “Marubi” ka trajtën moderne të paraqitjes së një muzeu bashkëkohor, ku ruhen mbi 150 mijë negativë xhami, duke u vlerësuar për arsyet historike, sociologjike, kulturore dhe antropologjike, po në radhë të parë si foto artistike. Në to janë fokusuar ngjarjet nga historia e trazuar e Shqipërisë , nga kohërat osmane në periudhën e komunizmit -ritualet sociale, kostume folklorike dhe portretet sociologjikisht interesante.  Pas vdekjes së tij, Kel Marubi u bë trashëgimtar legjitim i studios, duke e transformuar atë në një atelie të vërtetë arti. Ai e pasuroi fototekën me figura të njohura të kohës, Fishtën, Migjenin, Koliqin, Galica, Gjoluli, Curri, Noli, Zogu etj, si edhe me foto nga njerëz të zakonshëm me kostume kombëtare, pamje nga jeta e qytetit dhe e fshatit, peizazhe dhe aspekte te tjera nga jeta në Shqipëri në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillim të shekullit të njëzetë. Në vitin 1970 e gjithë pasuria prej 150 mijë negativësh i kaloi shtetit