EKSPOZITA E RRALLË NË SUEDI, HAPET “MUZEU I DËSHTIMEVE”

 

Në vend që të lartësojë arritjet e njerëzimit, një muze i ri që është hapur së fundmi në Suedi, ka mbledhur artefakte që përfaqësojnë kohët kur gjërat nuk kanë shkuar sipas planit.

Muzeu i dështimeve, në qytetin jugor të Suedisë, Helsingborg, u hap më 7 qershor dhe mban një numër shpikjesh të famshme që kanë dështuar të dalin në dritë si për shembull regjistruesit video Betamax, Google Glass apo një lojë që ka si personazh presidentin amerikan, Donald Trump.

“Disa nga objektet e mia të preferuara nuk janë spektakolare në pamje, por kanë histori fantastike. Për shembull, kamera dixhitale, ata nuk e kuptuan që njerëzit do të ndalnin printimin e fotove dhe refuzuan të ndryshonin modelin, si pasojë, në 2012 kompania falimentoi, e po atë vit “Instagram”-i iu shit “Facebook”-ut për një miliard dollarë”, thotë një prej pjesëmarrësve.

Të tjera objekte, janë edhe një maskë fytyre që kur e vendos të godet me elektroda. Pas 15 minutash shok elektrik, supozohet se je më i bukur. Ekspozohet edhe një biçikletë plastike e 1982 që supozohej se do të revolucionarizonte industrinë e biçikletave në Suedi. Rezultoi të ishte një dështim pasi ajo lakohej kur e pedaloje. Më pas, edhe patatinat pa yndyrë që nuk kishin kalori. U prodhuan me një zëvendësues inovativ yndyrash, por problemi ishte se shkaktonin diarre.

Për disa vizitorë, interesante është edhe “Cola Black”, një miksim i “Coca Cola”-s dhe kafesë. Një dështim pasi ndoshta njerëzit thjeshtë nuk e pëlqenin shijen.

Kuratori i muzeut, Samuel West, thotë se ideja është që njerëzit të ndërgjegjësohen se dështimi është një pjesë e domosdoshme e inovacionit, e madje edhe emra të mëdhenj si “Coca Cola” mund të bëjnë gabime.