Ende asnjë shenjë jete – Itali, konfirmohen 3 viktima, 35 dyshohen të bllokuar pas ortekut

Tre trupa të pajetë janë rekuperuar, por 35 persona të tjerë dyshohen se kanë mbetur të bllokuar në brendësi të hotelit që u mbulua nga orteku në rajonin e Abrucos në Itali. Zyrtarët italianë janë shprehur se do të vijojnë kërkimet me ritme intensive, por bëjnë të ditur se shpresat për të gjetur të mbijetuar sa vijnë e shuhen me kalimin e orëve. Për mediat është prononcuar edhe kryeministri Paolo Gentilloni, i cili deklaroi se të gjithë do të mbajnë frymën deri në përfundimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit.

Ekipet e shpëtimit të Itali, ende nuk kanë arritur të gjejnë të mbijetuar nga hotelin i cili mbulua nga orteku në rajonin e Abrucos.

Deri më tani janë konfirmuar tre viktima, ndërkohë që mbi 35 të tjerë kanë mbetur të bllokuar brenda.

Zyrtarët kanë preferuar që të rezervohen në deklaratat e tyre, por theksojnë se shpresat që ndonjë prej tyre të gjendet i gjallë sa vijnë e shuhen me kalimin e orëve.

Ekipet e shpëtimit kanë mbërritur në vend-ngjarje dhe kanë kërkuar në të gjithë zonën me ndihmën e qenve nuhatës, e megjithatë gjithçka nuk ka sjellë asnjë rezultat.

Deri më tani, janë rekuperuar vetëm tre trupa të pajetë, ndërkohë që bëhet e ditur se ka patur vetëm dy të mbijetuar.

Këta të fundit nuk kanë qënë në hotel gjatë kohës që ra orteku, gjë që u shpëtoi ndoshta edhe jetën.

Ngjarja vënë në lëvizje edhe qeverinë e vendit, e cila ka urdhëruar kërkime intensive.

Kryeministri, Paolo Gentiloni, zhvilloi një takim me kreun e Emergjencës Civile, të cilit i kërkoi angazhimin maksimal të isntitucionit që drejtohet prej tij.

Gjatë fjalës përpara gazetarëve, Gentiloni tha se të gjithë po mbajnë frymën pas ngjarjes së ndodhur me shpresen se do të gjenden të mbijetuar.

“Dua të them se ne po mbajmë frymën për atë që ndodhi. Kemi parë videot e operacioneve të shpëtimit në hotel. Do të presim me ankth për të parë nëse do të gjenden të mbijetuar“, u shpreh shefi i ekzekutivit italian.

Kërkimet në hotelin e mbuluar nga dëbora do të vijojnë me ritme intensive, pavarësisht se shpresat për të gjetur të mbijetuar vijojnë të mbeten të vaketa.