Enigma e vdekjes së Ismajl Qemalit: Gjakderdhje në tru apo u helmua?

Pas 97 viteve mbetet ende mister vdekja e plakut të Vlorës, njeriut që i dha Shqipërisë pavarësinë. “News24” ka udhëtuar drejt Italisë, në Peruggia, në të njëjtin hotel ku Ismail Bej Vlora ndërroi jetë më 24 janar të vitit 1919.

Në atë kohë nga mjekët italianë u fol për një vdekje si pasojë e hemorragjisë cerebrale, por dyshime të forta hidhen se ai u helmua.

Rreth një vit pas aktit historik të shpalljes së pavarësisë dhe ngritjes së flamurit në Vlorë, Ismail bej Vlora do të dorëhiqej si kryetar i qeverisë së përkohshme shqiptare të dalë nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës më 28 Nëntor 1912, duke u larguar nga Shqipëria.

Qëllimi i tij, ishte të vijonte misionin për njohjen e Shqipërisë nga fuqitë e mëdha tashmë si një shtet i pavarur.

Shqiptarët do të mësonin lajmin tronditës për vdekjen e Plakut te pavarësisë në Peruggia të Italisë më 24 janar të vitit 1919.

“23 janar 1919- Ismail Qemal, i cili ndodhej në hotel “Brufani” në Peruggia me ftesë të qeverisë italiane së bashku më dy djemtë e tij Etemin dhe Qazimin si dhe atdhetarin Luigj Gurakuqi, do të mbante një konferencë me korrespondentë të disa gazetave italiane që ndodheshin në Peruggia, ku do të fliste për situatën politike për Shqipërinë.

Një padrejtësi e madhe i ishte bërë Shqipërisë me traktatin e fshehtë të Londrës. Pa mbaruar ende lufta, Anglia, Franca, Rusia dhe Italia – kishin nënshkruar më 26 prill 1915 traktatin e fshehtë, që nëse fitonin luftën do ta copëtonin Shqipërinë duke e kënaqur Serbinë, Malin e Zi, Greqinë dhe Italinë, sipas zonave në kufi, ndërsa qendra do të kthehej në protektorat të Italisë.

Kjo pabesi e tronditi plakun e Vlorës, i cili mësoi gjithashtu, se në kohën kur Traktati i Londrës mbahej ende i fshehtë, Roma, me oreksin e saj për ta gllabëruar krejt Shqipërinë, kishte shpallur në Gjirokastër më 3 qershor 1917 një proklamatë me të cilën deklaronte se do ta ruante pavarësinë dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë, por nën protektoratin e saj. Ismail Bej Vlora iu drejtua sallës së konferencave, atje ku e prisnin gazetarët.