Erdogan: Sulmet kishin për qëllim të shkaktonin sa më shumë viktima

Dy shpërthime pranë një stadiumi futbolli në Stamboll, i kanë marrë jetën 38 personave dhe kanë plagosur 166 të tjerë.

Këto shpërthime ndodhën rreth orës 23:00 me orën lokale dhe sipas deklaratave zyrtare, kishin në shënjestër policinë.

Të dyja shpërthimet ndodhën 2 orë pasi në stadium kishte përfunduar ndeshja mes skuadrave të Besiktas-it dhe Bursaspor-it. Deri më tani, janë kryer 10 arrestime, ndërkohë që vendi ka nisur ditën kombëtare të zisë.

Kjo ngjarje është e radhës në valën e sulmeve që kanë goditur qytetet kryesore turke. Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për këtë akt, ndërkohë që sulmet e mëparshme janë marrë nën autorësi nga militantët kurdë dhe i ashtuquajturi Shteti Islamik.

Në një deklaratë pas sulmeve, presidenti i vendit Recep Tayyip Erdogan konfirmoi viktimat, por nuk dha më shumë detaje.

“Një sulm terrorist është kryer kundër forcave tona të sigurisë dhe qytetarëve. E kuptuam se këto shpërthime pas ndeshjes së futbollit, kishin për qëllim të shkaktonin sa më shumë viktima. Si pasojë, fatkeqësisht ne kemi martirë dhe të plagosur.”

Kanë qenë këto disa nga fjalët e presidentit. Ndërkohë, ministri i brendshëm Suleyman Soylu deklaroi se kishte qenë një makinë që kalonte pranë stadiumit, ajo që shpërtheu e para dhe 45 sekonda më vonë, një person hodhi veten në erë teksa ndalonte pranë vendit ku qëndronte policia. Soylu e quajti këtë ngjarje një sulm mizor dhe të neveritshëm.