Erdogan thirrje Gjermanisë: Mos na kërcënoni

Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan kritikoi sërish Gjermaninë të dielën duke thënë se politikanët gjermanë nuk duhet të bëjnë kërcënime të bazuara në lajme të rreme, ndërkohë që përplasja mes dy vendeve sa vjen e përshkallëzohet.

I pyetur për një letër të ministrit të Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, botuar në të përditshmen gjermane “Bild”, ai tha se investimet gjermane në Turqi nuk janë në shënjestër të operacionit të nisur pas grushtit të dështuar të shtetit të vitit të kaluar.

“Nuk ka asnjë lëvizje të tillë kundër kompanive gjermane. Ne kemi kompani gjermane që kanë më shumë se 100 vjet që operojnë në Turqi, si Siemens dhe Bosch. A ka ndonjë lëvizje kundër tyre? Jo. Ndaj, askush nuk duhet të përhapë lajme të rreme dhe të bëjë kërcënime bazuar mbi lajme të rreme”, tha Erdogan.

E përditshmja “Die Zeit” raportoi këtë javë se autoritetet turke disa javë më parë i kishin dorëzuar Berlinit një listë me 68 kompani gjermane, mes të cilave Daimler dhe BASF, që i akuzonin për lidhje me klerikun me bazë në SHBA, Fetullah Gylen, që nga Ankaraja fajësohet se ka orkestruar grushtin e dështuar të shtetit të korrikut të shkuar.

Në një letër në gjuhën gjermane dhe turke, të botuar në të përditshmen gjermane “Bild”, ministri i Jashtëm, Sigmar Gabriel tha se Gjermania nuk ka asgjë me turqit, por nuk mund të qëndrojë indiferente ndërsa qytetarë gjermanë burgosen.  Turqia ka arrestuar gjashtë aktivistë të të drejtave të njeriut, mes të cilëve një gjerman, nën akuzën se kanë mbështetur një organizatë të armatosur terroriste.