Erdogan: Vendet perëndimore nuk mund ta kërcënojnë Turqinë

Pas arrestimit të aktivistit gjerman për të drejtat e njeriut, Peter Steudtner, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan kritikoi ashpër Gjermaninë, ndwrsa tw arrestuarin e denoncoi duke e quajtur “agjent”.

Gjatë një fjalimi në parlament, në Ankara, Erdogan paralajmëroi Gjermaninë se Turqia nuk do të tregonte respekt ndaj saj, raporton DPA.

Më 5 korrik, Steudtner u arrestua nga autoritetet turke së bashku me nëntë aktivistë të të drejtave të njeriut , përfshirë Idil Eser, drejtoreshën e “Amnesty International” në Turqi , Ali Gharavi në Suedi dhe Peter Steudtner në Gjermani, gjatë një konference mbi sigurinë dixhitale, zhvilluar në Stamboll.

Gjermania ka qenë midis vendeve evropiane, e cila vendosi masa për ndalimin e mitingjeve të organizuara nga politikanët turq në tokën gjermane.

Aktualisht, Turqia po mban në paraburgim dy gazetarë gjermanë.

Gjatë fjalimit të tij, Erdogan, këmbënguli se vendet perëndimore nuk mund ta kërcënojnë Turqinë ose të kërkojnë të imponojnë vullnetin e tyre në vend.

Ai theksoi se asnjë kompani gjermane në Turqi aktualisht nuk është nën hetim, duke i quajtur raportimet lidhur me këtë çështje të pavërteta.

Këtë javë, Gjermania tha se Turqia ka hetuar rreth 700 kompani gjermane, të dyshuara për mbështetjen e terrorizmit.

Nga ana e saj, Turqia deklaroi se lista e kompanive gjermane nën hetim ishte rezultat i një gabimi komunikimi.