Etemi: Kemi investuar 10 milion euro në infrastrukturën e Zonës së Tetovës

Kompania amerikane “Lear Corporation” prej të enjten edhe zyrtarisht ka hapur kapacitetin prodhues në Zonën Industriale në Tetovë, pasi fillimisht startoi me punë në Gostivar, përmes punësimit të 300 personave dhe që si veprimtari bazë ka prodhimin e karrigeve për automjete. Investimi i planifikuar i kësaj kompanie në Maqedoni është llogaritur rreth 15 milionë euro, ndërsa planifikohet të punësohen fillimisht prej 1500 deri në 2000  punëtorë. Drejtori i “Normak”, kompani kjo që edhe administron me Zonës Ekonomike në Tetovë, Haki Etemi, tha se kjo është dita kur përpjekjet për të bërë Zonën e lirë ekonomike në Tetovë po bëhet realitet. “Po bëhen saktë tre vite, nga 8 nëntori i vitit 2013 kur ne si kompani Normak Investment Group, partner privat, morëm përgjegjësinë e menaxhimit të Zonës së lirë ekonomike në Tetovë. Ishin të shumtë skeptikët që dyshonin në suksesshmërinë e këtij modeli, por ne nuk bënim pjesë në atë grup. U ballafaquam me sfida të natyrave të ndryshme. Duke qenë se kjo ishte e para zonë e themeluar në bazë të konceptit të partneritetit private-publik, u desh që shumë gjëra së bashku edhe me institucionet shtetërore të mësonim gjatë punës që po e bënim. Gjatë kësaj periudhe u fokusuam në ndërtimin e infrastrukturës kryesore për funksionalitetin e Zonës së lirë ekonomike në Tetovë. Pas 16 muajve negociata të realizuara me kompaninë ‘Lear Corporation’, arritëm të nënshkruajmë marrëveshjen për realizimin e këtij investimi”, tha Etemi. Më tej, ai ka treguar se është bërë një investim prej 10 milionë euro në këtë zonë vetëm në infrastrukturë, me qëllim që t’ju mundësojë investitorëve kushte për të realizuar investimin e tyre. “Kompania jonë ‘Normak Investment Group’, mori përsipër ndërtimin e këtij kapaciteti modern prodhues në vlerë prej 7 milion eurove, investim ky i realizuar në afat prej 7 muajve, nga data e marrjes së lejes së ndërtimit dhe duke plotësuar të gjitha kushtet e një objekti me efikasitet energjetik A-plus, ndër të rrallët ndoshta edhe i vetmi në vendin tonë. Nëse përfshijmë edhe investimin e realizuar në infrastrukturën e përgjithshme, gjithsej për vetëm 3 vite kemi investuar 10 milionë euro. Të gjithë e kanë të qartë se punët e mëdha nuk bëhen lehtë dhe shpejtë. Ajo çka  na ka frymëzuar gjatë gjithë kësaj kohe, ka qenë motive për të ndërlidhur nevojat lokale me planet globale të zhvillimit të bizneseve”, theksoi drejtori i kompanisë Normak.  Ai ka falënderuar të gjithë ata që dhanë kontribut në realizimin e këtij investimi. “Investimi është një parametër jo pak i rëndësishëm në hartën globale rajonale e gjeopolitike. Po e theksoj këtë komponentë për të rikonfirmuar jo vetëm përcaktimin tonë civilizues properëndimorë, por edhe për të shprehur mirënjohjen tonë të sinqertë ndaj gjithë pronarëve dhe ndërmarrësve në shtetet e ndryshme të Perëndimit që përgatitin dhe aftësojnë kuadro nga ky vend. Tërë ky investim, për të cilin folëm më sipër, është investim tërësisht i partnerit privat, i realizuar për vetëm tre vite. Me këtë ne besojmë që kemi përmbushur detyrimet tona. Dua të shprehë mirënjohjen edhe ndaj stafit menaxherial të Lear Corporation, me theks të veçantë Rafael Gagliardi, me të cilin realizuam negociatat e suksesshme për fillimin me punë të kësaj fabrike, si edhe një falënderim të veçantë për Bernd Rongen, për ndihmën e tij të jashtëzakonshme profesionale që ky objekt të realizohet sipas standardeve më të larta në fushën e ndërtimit. Poashtu një falënderim të veçantë edhe për partnerin publik, ministrin Vele Samak, e veçanërisht Ministrinë e Ekonomisë dhe ministrin Driton Kuçin si dhe paraardhësin e tij Bekim Neziri, duke siguruar që së bashku mund të arrijmë deri në suksese edhe më të mëdha. Shpresojmë që të gjitha këto parapërgatitje të jenë në funksion të qëllimit final që ka ky objekt industrial: të arsyetojë objektivin për çka është ngritur këtu dhe të shërbej si motiv për të nxitur edhe më tej hovin e trenit të pandalshëm që quhet Lear  Corporation. Fatmirësisht, një ndërlidhje dhe mirëkuptim të shkëlqyeshëm e gjetëm tek partnerët amerikanë, të cilët me përvojën dhe vizionin e tyre zbarkuan në realitetin tonë. Fillimi me punë i kësaj zone paraqet përfitim direkt për kompanitë vendore, ku vetëm në ndërtimin e këtij objekti prodhues u angazhuan më shumë se 30 kontraktues të ndryshëm, dhe padyshim që edhe shumë të tjerë do të kenë mundësinë e të qenit nënkontraktues direkt në ofrimin e shërbimeve për Lear Corporation, por edhe për investitorët e tjerë. E dimë se këtij gjiganti nuk i mungon strategjia për të zgjedhur tregje dhe plasmane. Por, më lejoni të shtoj edhe një komponentë që do ta bënte edhe më komplemenar: lidhshmërinë e njerëzve të kësaj zone me vlera perëndimorë”, tha Haki Etemi, drejtor i Normak Investment Group, kompani kjo që administron me Zonën e Lirë Ekonomike në Tetovë.