Fati i qeverisë së ardhshme në Reçicë. Ahmeti paralajmëroi për platformën

“Thonë se nuk është mirë që Menduh Thaçi ka bërë marrëveshje të fshehta për qeverinë. Unë ju them që dje në mes të ditës se marrëveshjen e kam të hapur, publike.”

“Kur më bëjnë pyetje kinse të vështira unë nuk do të përgjigjem si duhet. Shumë ju intereson atyre, se a do të jem unë në qeveri dhe PDSH-ja. Po, po!”, është shprehur Menduh Thaçi.

Edhe pse fitoi plotë 19 mandate në zgjedhjet e 2014, Bashkimi Demokratik për Integrim nuk arriti që të sigurojë një nga postet kyçe në përbërjen qeveritare, kurse arsyetimi ishte se PDSH po tenton ta prish pazarin pas zgjedhor. BDI edhe kësaj radhe si fituese në taborin politik shqiptar është vendimtare në formimin e Qeverisë së re. Në intervistën para zgjedhjeve, Ahmeti theksoi se nuk mund të anashkalohet fituesi.

“Në radhë të parë unë do të respektojë parimin, parim shumë i drejtë, që do të thotë, pala që fiton te komuniteti maqedonas do të jetë palë që duhet të bisedohet. Dhe çelësi i bisedimeve është platforma, është doktrina e Bashkimit Demokratik për Integrim”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Si pikë kyçe në platformën e BDI-së është edhe zyrtarizmi i gjuhës shqipe, për të cilën VMRO DPMNE zhvilloi fushatë kundër kësaj çështje, duke qenë kundër zyrtarizimit të plotë të gjuhës shqipe në nivel të gjithë territorit të vendit.

“VMRO DPMNE është kundër inkorporimit të dy gjuhësisë në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë”, tha Ilija Dimovski, VMRO DPMNE.

Një pikë e nxehtë për koalicionim midis këtyre dy partive është edhe vazhdimi i mandatit të Prokurorisë Speciale. Derisa nga BDI janë shprehur pro vazhdimit të mandatit të Prokurorisë Speciale, nga VMRO DPMNE janë kategorikisht kundër. Prej Bashkimit Demokratik për Integrim thonë se do të presin zyrtarizmin e rezultateve dhe më pas do të dalin me qëndrim për koalicionet e mundshme.

Partitë tjera shqiptare ishin të qarta në qëndrimet e tyre rreth bashkëpunimit me Gruevskin. Rilindje me Besë theksoi se nuk do të bashkëpunojë me persona të akuzuar nga Prokuroria Speciale, kurse PDSH është e gatshme ti ndihmojë secilës parti, përveç Ahmetit dhe Gruevskit.

Ndryshe, kushtetuta e vendit e parashikon që më së vonë 20 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve, kuvendi të mblidhet në seancë konstitutive, ku duhet të verifikohen mandatet e deputeteve. Presidenti është i obliguar që në afat 10 ditor të japë mandat për formimin e qeverisë fituesit të zgjedhjeve, i cili duhet që për 20 ditë të paraqes propozimin e përbërjes qeveritare./TV21/