Fati i Ismail Morinës, Vuçiç: Nuk negocioj!

Përkundër lajmit të disa mediave shqiptare se Qeveria e Tiranës dhe ajo e Beogradit janë dakorduar për lirimin e Ismail Morinës i cili vazhdon të qëndroj i arrestuar në Kroaci, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç reagon duke theksuar se Serbia nuk do të negocioj për rastin e Morinës, sepse nuk negocion për rastet e veprave penale.
“Ne kemi kryer punën tonë dhe presim vendimin”, tha Vuçiç në Kragujevc, duke mos dashur të komentoj mediat serbe të cilat vazhdojnë të theksojnë se Shqipëria është në ofansivë për të mos lejuar ekstradimin ndërsa shtoi se mediat shkruajnë gjithçka.
“Lidhur me këtë çështje nuk kemi se çfarë të bisedojmë dhe as të negociojmë me askënd”, theksoi Vuçiç duke paralajmëruar se para shtetit serb janë ditë të vështira në prag të përvjetorit të operacionit “Stuhia” gjatë të cilit janë larguar qindëra mijëra serbë nga Kroacia, pas krimeve që kishin kryer ndaj popullsisë së pafajshme kroate.
Morina aktualisht është në paraburgim në Dubrovnik, ku është arrestuar sipas fletëarrestit ndërkombëtar serb, dhe më pas Ministria e Drejtësisë e Serbisë ka kërkuar ekstradimin e tij në Beograd.
Gjykata e Qarkut në Dubrovnik ka marr vendim për ekstradimin e Morinës, vendim të cilin avokati i tij e ka ankimuar në Gjykatën e Lartë të Kroacisë, dhe pritet vendimi.
Ndërkohë në Beograd vazhdon procedimi kundër Morinës për shkak se me dron ngriti flamurin e Shqipërisë etnike mbi fushën e futbollit ku po luhej ndeshja Serbi-Shqipëri. Gjykata serbe e akuzon për veprën penale të nxitjes së urrejtjes fetare dhe nacionale.