Fenerbahçe fiton derbin e Stambollit, nxjerr Beshiktashin jashtë Kupës

Beshiktashi dhe Fenerbahçe janë takuar në një të tetat e Kupës së Turqisë. Në “Vodafone Arena” është luajtur një derbi tejet i tensionuar, ku nuk kanë munguar përplasjet mes lojtarëve, që kanë çuar dhe në nxjerrjen e një kartoni të kuq.

Pas një nisjeje të nervozuar, ka qenë Beshiktashi që ka nisur ta zotërojë lojën. Megjithatë, vetëm pas minutës së 30-të janë parë ngacmimet e para drejt portës së Fenerbahçes.

Në momentin më të mirë për të zotët e shtëpisë, Van Persie, problematik gjatë gjithë lojës, ka provokuar Tosic-in, që ka reaguar keq. Ai ka goditur me kokë holandezin dhe është nxjerrë jashtë me të kuqe. Eshtë minuta e 43-të. Tosic mezi qetësohet e lë fushën, ndërkohë që gjyqtarit i ka dalë loja nga kontrolli.

Në epërsi numerike, Fenerbahçe luan më mirë në pjesën e dytë. Goli vjen në minutën e 72-të, i shënuar nga Van Persi.

Nuk mungon as pas kësaj minute nervozizmi. Përplasjet janë të vazhdueshme, teksa Fenerbahçe kryeson. Gjyqtari, që nis e jep vendime të dyshimta, e gjen shpëtimin te mbyllja e ndeshjes.

Fenerbahçe fiton 0-1 e shkon në çerekfinalen e Kupës së Turqisë. Beshiktashit i mbetet të luftojë në kampionat, ku kryeson.