Ferizaj,mësuesi dyshohet se ngacmoi 11-vjeçaren

 

Drejtoria komunale e arsimit në Ferizaj e ka pezulluar nga puna arsimtarin M.S. në shkollën fillore “Ahmet Hoxha” në Ferizaj, i cili ditë më parë dyshohet se ka ngacmuar seksualisht nxënësen A.A, 11-vjeçare. Rasti ka kaluar te organet e drejtësisë.

Arsimtari M.S. me një akuzë të tillë është përballur dy vjet më parë, kur punonte në shkollën e fshatit Manastirc, shkruan sot “Koha Ditore”. Procesi gjyqësor e ka nxjerrë të pafajshëm mësimdhënësin, për shkak të mungesës së provave.

Me rekomandim të Drejtorisë për arsim, M.S. është transferuar në shkollën fillore “Ahmet Hoxha”.

Në rastin e fundit ka ndodhur edhe një përleshje fizike në mes të familjarëve të nxënëses dhe mësimdhënësit brenda hapësirave shkollore, për të cilin është hapur një rast i veçantë nga Policia.

Muhamet Halili, drejtor i arsimit në Komunën e Ferizajt, ka njoftuar se tashmë ka marrë vendim dhe e ka pezulluar nga puna këtë mësimdhënës derisa organet e drejtësisë të dalin me një vendim apo raport të saktë..