Festa e Abetares tubon fatosat nga të gjitha trevat shqiptare

 

Nën organizimin e Ministrisë së Shkencës dhe Teknologjisë, të mërkurën është mbajtur manifestimi qendror “Festa e Abetares 2017”, festë kjo me karakter mbarëkombëtar.

Me rastin e hapjes së këtij manifestimi tradicional, ministri i arsimit në detyrë Arsim Bajrami u shpreh se kjo festë ka zbukuruar sot kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën.

Ai shprehu respektin për të gjithë prindërit dhe mësimdhënësit që kanë punuar me fëmijët, si dhe u shpreh se kombi shqiptar do të punojë bashkë për arsimimin dhe edukimin e tyre.

Drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës Arbërie Nagavci, tha se ndihet e nderuar të merr pjesë në këtë festë sot.

Ajo theksoi se duhet më shumë përkushtim që Kosova të bëhet vend më i mirë për fëmijët.

Taura Cangu, drejtoreshë e arsimit në Shqipëri në fjalën e saj tregoi se kjo është hera e katërt që marrin pjesë në manifestimin tradicional “Festa e Abetares”. Ajo u shpreh se është nder që këta fatosa mblodhën  te gjitha trevat shqiptare në këtë festë të bukur.

Sipas saj është shumë i rëndësishëm investimi në zënien e diturisë për fëmijët pasi që ata janë e ardhmja e vendit.

Edhe Driton Rexhepi përfaqësues nga Bujanoci, të cilët morën pjesë për herë të parë në këtë manifestim tregoi se Abetarja në Medvegjë ka pasur sfidat e saj,  por që fatmirësisht kanë arritur që të kenë edhe rastin të kenë edhe ata Abetaren e përbashkët.

Ai uroi që kjo ditë të festohet çdo vit në mënyrë po kaq madhështore si sot.

Në shënimin e kësaj dite nxënësit e klasave të para shprehën aftësitë e tyre të të mësuarit të alfabetit të gjuhës shqipe.

Ata nën kordinimin e mësueseve të tyre kishin përgatitur një program të bukur artistik.

Në mesin e fatosave që kishin ardhur të festonin këtë ditë kaq të veçantë për ta, ishte edhe Ea Berisha nxënëse e shkollës “Ismail Qemali” në Prishtinë.

Ajo për Kosovapress u shpreh se ndihet e lumtur që me mësimin e shkronjave tanimë e ka mundësinë që të lexojë edhe libra të tjerë e revista të ndryshme.

“Sot ndjehem shumë e lumtur sepse është dita ime, festa ime dhe prandaj jam shumë e kënaqur.  Sot e kam prezantuar shkronjën H. Unë tani mund të lexoj libra , gazeta dhe çdo gjë tjetër”, tha Ea Berisha.  

Ndryshe, Festa e Abetares përkon me kohën kur nxënësit e klasave të para përfundojnë mësimin e shkronjave./KosovaPress/