Festivali i Fanarëve Magjikë nderon Vitin e Ri Hënor

Festivali i përvitshëm i Fanarëve Magjikë në Londër i ka transformuar tërësisht kopshtet historike të Chiswick House për të festuar Vitin e Ri Hënor. Këtë vit, tematika e festivalit ishte Rruga e Mëndafshit, që u hap më 18 janar. Kopshtet zakonisht të qeta neo-klasike tashmë përmbajnë 60.000 drita në 1.500 instalacione të fanarëve tradicionalë kinezë, që rikrijojnë një udhëtim përgjatë Rrugës antike të Mëndafshit, që kalon Koloseun në Romë, piramidat egjiptiane dhe një skulpturë 15 metra të Dhomës së Parlamentit në Londër.

“Rruga e Mëndafshit ka qenë një urë lidhëse mes Kinës dhe vendeve perëndimore për 1.000 vite tashmë. Dhe tani ajo po rigjallërohet, prandaj kjo është çfarë Festivali i Fenerëve Magjikë përfaqëson. Mund të gjeni shumë histori dhe pika të famshme përgjatë Rrugës së Mëndafshit, për shembull, gjëra nga Londra moderne, përqark Europës, Lindjes së Mesme, Azisë qendrore dhe deri në Kinën antike. Pas meje është pallati i Dinastisë Tang,” shpjegon Ian Xiang, dizenjatori i kësaj shfaqjeje.

Për 2.000 vite njerëzit në Kinë, kanë prodhuar fanarë delikatë prej mëndafshi, për të simbolizuar fillimet e reja, për të lënë pas mëritë e vjetra dhe për të sjellë fat të mirë. Festivali 29-ditor i dritave dhe ngjyrave sjell një kombinim të fanarëve tradicionalë dhe teknologjisë më të fundit, duke përfshirë edhe realitetin virtual. Banorët vendas thonë se transformimi i kopshteve ka qenë madhështor.
“Është viti im i dytë këtu. Vitin e kaluar ishte Disney dhe këtë vit është rruga e mëndafshtë, dhe mendoj se është absolutisht e shkëlqyer. Është një hapësirë fantastike për të bërë diçka të tillë,” u shpreh Ruth Mayorcas.

“Është unike në mënyrën e vetë, është diçka që nuk e kemi parë këtu, është si të udhëtosh botën pa u larguar nga Londra,” thotë Andy Saunders.

“Absolutisht fantastike, kaq e gjallë, e këndshme, fantastike. Duhet të sjellë më shumë njerëz në këtë zonë,” shton Ravi Kaushal.

Chaswick House është një nga shembujt më të hershëm të lëvizjes angleze për krijimin e kopshteve. Vetë ky vend daton që prej vitit 1729. Ndërkohë, festimet zyrtare londineze të Vitit të Ri Hënor zhvilliohen në Sheshin Trafalgar në 29 janar, ku dhjetëra mijëra persona pritet të dalin në pikën ikonike të qytetit.

image-4image-3image-2image-1