Festivali i folklorit në Bujanoc

Festivali Ballkanik i Folklorit në Bujanoc

“Në Festivalin Ballanik të Folklorit, në Bujanoc, demonstruan shkathtësitë e tyre artistike kulturore tetë ansamble nga tre shtete. Vitin tjetër i gjithë Ballkani këtu do t’i shpalos vlerat e veta të mirëfillta folklorike të valleve dhe të kostumeve”, u shpreh koreogarfi i mirënjohur nga Kosova, Dilaver  Kryeziu.

Nga Sevdail Hyseni

Shoqëria Kulturo – Artistike “Jehona” nga Tërnoci, për dy ditë rresht, ishte bartëse e organizimit të evenimentit të lartë kulturor: “Festivali Ballkanik i Folklorit”.

Gjatë 1 dhe 2 tetorit, të këtij viti, sheshi i qytetit të Bujanocit, u bë një mozaik i pasur i multikulturalizmit, nëpër të cilin defiluan shoqëritë kulturore artistike nga Lugina e Preshevës, Kosova dhe Maqedonia.

Sfilata defiluese, me një kolorit të begatshëm konstumi dhe simbolesh nga shtete të ndryshme: SHKA”Jehona” nga Tërnoci, SHKA ”Presheva jehon” nga Presheva, Ansambli ”Gjilani” nga Gjilani, Ansambli ”Zëri Kosovës” nga Fushë Kosova, Ansambli i Këngëve dhe Valleve ”Bajram Shabani” nga Kumanova dhe Ansambli ”Soko” nga Bujanoci,  kanë entuziazmuar dhe këndellur shpirtërisht adhuruesit e folklorit ballkanik.

Më pas përfaqësuesit e këtyre shoqërive kulturore artistike, vizituan kryetarin e Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi  dhe  kryetarin e Këshillit Kombëtar, Jonuz Musliu.

Në Pallatin e Kulturës, në Bujanoc, Festivalin ballkanik i folklorit, zhvilloi një program të pasur kulturore artistike me valle të ndryshme.

Këtë eveniment të lartë kulturor e shpalli të hapur, kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, i cili me krenari u shpreh: “Është kënaqësi e veçantë të jem në mesin Tuaj dhe natyrisht një privilegj, që Bujanoci është nikoqir i një nismë të re për komunën tonë, një nismë e re e cila në plan të parë ka kulturën, shpirtin e popullit”.

Në vijim me fjalimet  e tyre u paraqitën edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Jonuz Musliu dhe koreogarfi i mirënjohur nga Kosova, Dilaver  Kryeziu.

Në përmbyllje të këtij Festivali me karakter ballkanik, koreografi Dilaver Kryeziu, nga Kosova, u shpreh i kënaqur me zhvillimet e këtij evenimenti kulturor, meqenëse as një herë më parë nuk është organizuar një festival i tillë.

“Në Festivalin Ballanik të Folklorit, në Bujanoc, demonstruan shkathtësitë e tyre artistike kulturore tetë ansamble nga tre shtete. Vitin tjetër i gjithë Ballkani këtu do t’i shpalos vlerat e veta të mirëfillta folklorike të valleve dhe të kostumeve”, u shpreh koreogarfi i mirënjohur nga Kosova, Dilaver  Kryeziu.

Ndërkaq, Abdurrahman Murati, drejtor i SHKA “Jehona”, nga Tërnoci, bartës i këtij festivali ballkanik, falënderoi donatorët dhe pjesëmarrësit e këtij evenimenti, duke mos harruar edhe qytetarët, të cilët patën rastin, që nga afër të shijojnë vlerat e mirëfillta të folklorit të vendeve të ndryshme.