Festivali i Kitarës, për herë të parë në Tiranë

Festivali nisi këtë të premte në Teatrin e Metropolit dhe vijon të mbahet në mjedise të ndryshme të kryeqytetit.

Festivali i Kitarës “Guitar Sounds Festival” do të organizohet për herë të parë në Tiranë, ndërsa surpria e këtij fesivali janë tre artistë që vijnë nga Kosova.

Denis Bizhga shef i Departamentit të Kitarës në liceun “Jordan Misja” shprehet se në Tiranë kanë ardhur perfomuesit më të mirë të muzikës klasike. Janë tre artistë që vijnë nga Kosova, të tre profesorë kitare, që e zhvillojnë jetën e tyre artistike në disa vende të Europës.

Ata janë Drilon Çocaj, Vendim Thaçi e Jon Gjylaci. Drejtori artistik i festivalit, Bizhga shprehet se koncertet e kitarës janë një edukatë muzikore e munguar prej vitesh për brezin e ri.

Festivali nisi këtë të premte në Teatrin e Metropolit dhe vijon të mbahet në mjedise të ndryshme të kryeqytetit.

Vendim Thaçi, kitaristi nga Kosova, që studion në Gjermani, ka perfomuar mbrëmjen e së premtes muzikë nga vende të ndryshme të botës. Nuk është e lehtë të performosh në kitarë muzike klasike, por Thaçi arrin të krijojë një atmosferë magjike dhe ëndërrimtare.

Festivali i Kitarës është një event muzikor i kombinuar edhe me “masterklass” për gjimnazistët e Liceut Artistik. Sot është nata e tretë e festivalit në Teatrin e Metropolit. / ATSH