Fidel Castro para vdekjes: “Vjen koha për të gjithë ne”

Në vitet e fundit, Fidel Castro ka shkruar kolumne për mediat shtetërore, por rrallëherë është paraqitur publikisht.

Në muajin prill të këtij viti e bëri paraqitjen e tij më të gjërë publike për vite të tëra, në ditën përfundimtare të Kongresit të Partisë Komuniste të Kubës.

“Së shpejti, unë do të jem si të tjerët. Vjen koha për të gjithë ne, por idetë e komunistëve kubanë do të mbesin si provë se në këtë planet, nëse dikush punon me entuziazëm dhe dinjitet, atëherë ai mund të prodhojë të mira materiale dhe kulturore, që i duhen njerëzimit dhe për këtë duhet të luftohet duke mos u dorëzuar kurrë”, tha Fidel Castro.

I ndjeri Castro ishte figurë qendrore në Luftën e Ftohtë, derisa sundimi i tij ishte shënuar me invadimin e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, i njohur me emrin, Gjiri i Derrave, në vitin 1961, dhe me krizën raketore kubane, pas një viti, që e solli botën shumë afër asaj që konsiderohej se do të ishte luftë atomike.

Nën Fidel Castron, Kuba e mbijetoi embargon e rëndë tregtare të Shteteve të Bashkuara dhe disa komplote për atentat.

Disa vite pas tërheqjes së Castros, në dhjetor të vitit 2014, presidenti kuban, Raul Castro, u pajtua për rivendosjen e lidhjeve diplomatike dhe për përfundimin e periudhës prej disa dekadash të armiqësive me Shtetet e Bashkuara.

Fidel Castro jetoi mjaft gjatë që ta përjetojë vizitën e presidentit amerikan, Barack Obama, në fillim të vitit 2016, që ishte vizita e parë e një presidenti amerikan në 88 vjet.

Fidel Castro, i cili nuk u takua me zotin Obama, e kishte shkruar një tekst të ashpër duke i dënuar fjalët e “mbuluara me mjaltë” të zotit Obama dhe i kishte përkujtuar kubanët për përpjekjet e shumta amerikane për përmbysjen dhe dobësimin e Qeverisë komuniste të Kubës./REL/