Fidel Castro u mbijetoi 638 atentateve

Fidel Castro, Prime Minister of Cuba, smokes a cigar during his meeting with two U.S. senators, the first to visit Castro's Cuba, in Havana, Cuba, Sept. 29, 1974. (AP Photo)

Thonë se jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër. Ky është rasti i Fidel Castros. Udhëheqësi i Kubës komuniste do të mbahet mend jo vetëm si më jetëgjati i shekullit të kaluar, por edhe si lideri që u ka mbijetuar më shumë atentateve për ta vrarë.

Fabian Escalante, ish-shefi i kundërzbulimit kuban, i ngarkuar me detyrën për të mbrojtur shefin e tij ka deklaruar se janë plot 638 përpjekje për ta vrarë atë. Rrëfimi i tij është bërë në një dokumentar të vitit 2006 të titulluar “638 mënyra për të vrarë Castron”, transmetuar në televizionet britanike.

Pas dokumentarit të shumtë ishin ata që u shprehën skeptikë mbi këtë shifër, por një vit më vonë një pjesë të mirë të tyre do t’i konfirmonte vetë CIA me deklasifikimin e disa dokumenteve.

Në njërin prej tyre ishte edhe i famshmi “Operation Mongoose”, synimi i të cilit ishte rrëzimi i qeverisë kubane. Sipas Richard Helms të CIA-s, administrata e Presidentit Kenedy po ushtronte presion të madh ndaj agjencisë së inteligjencës për ‘eleminimin e Castros’.

Dhe vetëm në tre vite, janë të dokumentuara të paktën pesë përpjekje për ta bërë këtë. E para ka qenë para gushtit të vitit 1960, e dyta pas gushtit të 1960 deri në prill të 1961. E treta nga fundi i 1961 deri në fund të 1962. E katërta ka qenë në fillim të 1963, ndërsa e pesta në fund të 1963.

Dokumentet e deklasifikuara flasin për rrugë të ndryshme sesi do të realizohej vrasja, që nga helmimi i udhëheqësit kuban me cigare, duke e njohur pasionin e tij për purot, e deri tek infektimi me një virus që do të shkaktonte rënien e mjekrës së tij e do ta bënte qesharak në sy të kubanëve.

Ka raportime, megjithëse të pakonfirmuara, se në lojë është futur edhe mafia. Sipas këtyre raportimeve, CIA ka kontaktuar emigrantët kubanë në Florida që ushtronin veprimtari në fushën e drogës dhe prostitucionit në Shtetet e Bashkuara dhe në këmbim të mosarrestimit të tyre ka kërkuar eliminimin e Castros. Metodat janë nga më të ndryshimet, por që të gjitha kanë një të përbashkët; dështimin.