Filipine, militantët e IS-it i presin kokën shefit të policisë

Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte ndodhet që prej ditës së djeshme në jug të vendit për t’u përballur me emergjencën që ndoshta është më e rënda e mandatit të tij të parë.

Në ishujt aziatikë është shpallur ligji ushtarak në një të tretën e vendit, operacione ushtarake po zhvillohen në qendrat urbane kundër grupeve mbështetëse të ISIS, militantët e të cilit i kanë prerë kokën një shefi policie dhe po përdorin një komunitet katolik si mburojë njerëzore.

Duke i bërë referim ish-diktatorit Ferdinand Marcos, Duterte ka lënë të kuptohet se do të përdorë grusht të hekurt kundër rritjes së ekstremizmit islamik, i konsideruar një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Kriza shpërtheu mbrëmë në Maraui, një qytetet me 200 mijë banorë në ishullin Mindanao, pas një operacioni të dështuar të ushtrisë për të kapur Isnilon Hapilon, një komandant i grupit rebel Abu Sayaf, i konsideruar fraksioni terrorist më i rrezikshëm në vend.

Militantët kanë kërkuar ndërkohë mbështetjen e një grupi tjetër islamik, Maute, që është betuar për besnikëri ndaj ISIS. Dhjetëra persona të armatosur kanë sulmuar ndërtesa të shumta, mes të cilave një burg dhe një kishë, të cilës i kanë vënë zjarrin.

Ndërkohë, një prift dhe të paktën 13 besimtarë janë marrë peng me kërcënimin se do të vriten nëse ushtria nuk ndërpret operacionet e saj./TCH/