Fillojnë kalkulimet për qeverinë e re të Maqedonisë, Gruevskit i duhen 10 deputetë

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski u mandatua që të krijojë qeverinë e re të Maqedonisë. Partia e tij, OBRM-PDUKM-ja arriti që të merr 51 vende në përbërjen e re kuvendore, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në mënyrë matematikore, OBRM-së i duhen vetëm 10 deputetë të BDI-së që të formojë qeverinë e re, megjithatë kjo është një detyrë e rëndë, sidomos pas shpalljes së Deklaratës politike të partive shqiptare, ku nuk është përfshirë PDSH-ja, e cila siguroi vetëm dy deputetë në këto zgjedhje të parakohshme.

Për Gruevskin do të jetë e vështirë të arrij të krijojë një qeveri, sidomos me faktin se në Deklaratën politike përmenden çështje si himni, flamuri dhe stema, si edhe dygjuhësia, gjëra të cilat Gruevski vështirë se do t’i pranojë si kushte.

Nga ana tjetër, Gruevski ka paralajmëruar se do të tentojë të krijojë qeveri, por jo me çdo çmim. Ndërkaq dy koalicionet tjera, Aleanca për Shqiptarët dhe Rilindje me Besë tashmë kanë bërë të ditur se nuk ka koalicion me Gruevskin.

Afati përfundimtar i Gruevskit është 29 janari. Nëse ai nuk do të krijojë qeveri, atëherë duhet të mandatohet një tjetër, ngjashëm si në fillim të viteve të 1990-ta, kur Petar Goshev nuk arriti që të krijojë qeveri dhe u tërhoq.