Flet maqedonasja qё kёndoi shqip “Suus”-in e Rona Nishliut: pse e thyeva njё tabu

Një këngëtare e njohur maqedonase, ka thyer një tabu duke kënduar shqip. Dhe kjo ndodh në një kohë kur raportet ndëretnike në Maqedoni ndodhen në ditë jo të mira, nxitur dhe nga situata e acaruar politike.

Që shqiptarët të këndojnë në gjuhën maqedonase, kjo nuk ka përbërë ҫudi; por që të ndodhë e kundërta kjo ka qenë e pabesueshme.

Pra bëhet fjalë për këngëtaren e re maqedonase, Tamara Angelovska, e cila ka interpretuar në versionin e saj këngën “Suus” të këngëtares së njohur shqiptare Rona Nishliu që prezantoi Shqipërinë para disa vitesh në Eurovizion.

Angelovska e cila para disa muajve promovi këngën në gjuhën maqedonase “Nuk mundem pa ty”, dje ka befasuar fansat e saj me interpretimin e këngës në gjuhën shqipe.

Duke pasur parasysh jehonën e madhe që arriti ajo me publikimin e kësaj kënge ndër mediumet shqiptare dhe maqedonase brenda një dite, portali tesheshi.com ka kontaktuar për një deklaratë eksluzive vet këngëtaren Tamara Angelovska.

Sipas saj, është pikërisht zëri i mrekullueshëm i Nora Nishliut, arsyeja që me vite të tëra e përcjellë me vëmendje këngëtaren shqiptare. Ajo ende nuk mund të beson se ekziston ndonjë vokal aq i bukur që e tejkalon atë të Norës.

“Që nga viti 2012 kur për herë të parë është kënduar kënga “Suus” në Eurovision, më ka mahnitur dhe më ka lënë përshtypje të madhe. Pë çdo ditë jam munduar që t’i arrij ato lartësi dhe teknika vokale që posedon kënga, pasi nuk aq të thjeshta për t’i intepretuar. Gjithashtu, u mahnita me zërin e Rona Nishliut; nuk më besohej që me të vërtetë ekziston një zë aq i mirë, dhe që nga ajo ditë u bëra fanse e saj”, tha këngëtarja Tamara Angelovska per tesheshi.com.

Përveç jehonës së madhe në Maqedoni, interpretimi i këngës “Suus” nga Tamara ka arritur edhe në veshin e autores origjinale të këngës, Rona Nishliut. Ajo në rrjetin social facebook e ka shpërndarë këngën e saj të interpretuar nga Tamara dhe ka shkruar kështu: “Sa lumturi, njerëzit bashkohen përmes muzikës. Të lumtë Tamara, verzion i fuqishëm”.

Ndaj komplimenteve të Ronës nuk ka ngelur borxh as Tamara. Ajo ka falenderuar për statusin e Ronës dedikuar saj, dhe njëherit ka zbuluar dëshirën e flaktë për një duet me të.

“Një falenderim i veçantë deri te Rona për fjalët e saj të mira lidhur me këndimin tim, dhe shpresoj që një ditë do të bëjmë duet së bashku”, tha Angelovska.

Sa i përket jetës multietnike në Maqedoni, Tamara vlerëson se fatkeqësisht ende ekziston vija ndarëse dhe paragjykimet negative ndërmjet etnive të ndryshme, gjegjësisht shqiptarëve dhe maqedonasve.

“Mendoj se ende jemi larg vlerave demokratike; por shpresoj që pikërisht kënga dhe arti do të japin kontribut në tejkalimin e dallimeve, dhe t’i detyrojë njerëzit që ta vlerësojnë të mirën, pa dallim nga vjen ajo”, përfundoi Tamara duke folur për tesheshi.com.

Në fund, kujtojmë që Rona Nishliu mbetet suksesi më i madh shqiptar në Eurovizion, kur u radhit e pesta në finalen e Eurovizionit në vitin 2012-të në Baku të Azerbejxhanit. /tesheshi.com/