Formacioni i Shqipërisë kundër Izraelit

De Biasi ka arritur të konstatojë formën dhe gjendjen e çdo futbollisti që ka thirrur për këtë sfidë delikate.

Kombëtarja po vijon përgatitjet me intensitet të lartë për sfidën e 12 nëntorit me Izraelin, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena” dhe është e vlefshme për kualifikueset e kampionatit botëror “Rusi 2018”.

Me anë të tri seancave stërvitore dhe takimeve kokë më kokë me të gjithë lojtarët, tekniku De Biasi ka arritur të konstatojë formën dhe gjendjen e çdo futbollisti që ka thirrur për këtë sfidë delikate, ndërsa tashmë puna është përqendruar në ndërtimin e strukturës së skuadrës.

Gjendja jo e mirë fizike e një pjese të lojtarëve ka bërë që trajneri të provojë në këto tri seanca thuajse të gjithë futbollistët, me qëllim që të hedhë në fushë 11-shen më në formë për momentin.

Formacioni i mundshëm

Kur na ndajnë edhe tri ditë nga sfida me Izraelin, rivali direkt i Shqipërisë, stafi teknik i Kombëtares kuqezi po ndërton pak e nga pak strukturën e 11-shes së parë, me të cilën do të prezantohen në këtë 90-minutësh.

Duhen edhe gjashtë seanca të tjera stërvitore që De Biasi të përcaktojë përfundimisht formacionin me 11 titullarët, por, nga sa u kuptua nga stërvitja e pasdites së djeshme, italiani nuk është i bindur për repartin e mesit të fushës, i cili do të përbëhet nga pesë lojtarë.

Teksa mbrojtja ka marrë formë me katërshen: Mavraj e Gjimshiti në qendër, të mbështetur në të majtë nga Agolli dhe Hysaj në të djathtë. Për një vend në qendër të mbrojtjes do të luftojnë Veseli, Ajeti e Gjimshiti, ku i fundit duket se ka më shumë përparësi se dy kolegët e tjerë.

Mesfusha

Në repartin ndërlidhës të skuadrës, janë disa lojtarë që do përpiqen t’i mbushin “mendjen” De Biazit për një vend titullari. Nga çka la të kuptohet nga seancat stërvitore të djeshme, italiani pritet të rreshtojë një mesfushë shumë të ngjeshur, duke aktivizuar Xhakën, Abrashin dhe Kukelin në vijë të drejtë para mbrojtjes së mbështetur nga Llullaku dhe Memushaj para tyre.

Sulmi

Bekim Balaj, me dy golat që i shënoi Zenitit në fundjavë, duket se e ka rezervuar vendin e titullarit. Ky ishte një nga variantet që italiani testoi dje, pasi në varësi të skemave, ndryshonte edhe formacioni. Gjatë ushtrimeve të ndryshme, janë aktivizuar edhe lojtarë si Lila, Roshi, Hyka, Mavraj e Çani, të cilët shkartiseshin me lojtarët e sipërpërmendur.

19-104