Fotografon dhe ofendon një grua me shami në një kafene në Amerikë [video]

Një grua myslimane e cila jeton në Amerikë, pavarësisht se është ngacmuar dhe e kanë quajtur lavire brenda një kafeneje, është lutur që të qëndrojë e qetë.

Asma Elhuni, 39 vjeçe, ishte duke qëndruar në kafenenë e quajtur Joe’s Coffee Shop, në Atlanta, kur një njeri iu afrua dhe filloi t’i bëjë fotografi, transmeton Koha.net. Në ato momente ajo ishte duke punuar në laptopin e saj dhe kur e pa këtë njeri që po e fotografonte, e pyeti pse po e bënë këtë.

39 vjeçarja ka bërë një video kur ishte duke biseduar me të. Ajo dëgjohet duke e pyetur atë: “Ju pëlqen të më bëni fotografi? Ju pëlqen të më bëni fotografi vetëm mua?”, shkruan tabloidi britanik Metro.

Në video, ky njeri mund të dëgjohet duke qeshur dhe duke thënë “a po ofendohesh?”.

Elhuni, e cila është shtetase e Amerikës dhe e diplomuar në shkencat politike, u përgjigj duke thënë “jo” dhe e pyeti përsëri pse ai po e fotografonte. Personi, i cili më vonë u identifikua si Rob Koehler, tha: “Pse je kaq nervoze?”. Ai pastaj tregoi se ishte duke bërë fotografi kafenesë, dhe Elhunës i tha: “Këto fotografi desha t’i postoj në Facebook dhe pastaj t’i fillove të veprosh si një lavire”.

Elhuni në mënyrë të qetë i përgjigjet: “Pra tani unë jam lavire?”. Ai thotë “po”, duke e pyetur: “A ke Green-Card?”.

Një njeri tjetër e ka larguar Koehlerin i cili pas një kohe të shkurtër është larguar nga kafeneja.

Elhuni, e cila mban hixhab, këtë video e ka postuar në Facebook menjëherë pas këtij incidenti dhe kjo video deri më tani është shpërndarë më shumë se 1.3 milion herë. Po ashtu, ajo ka marrë shumë përkrahje nga njerëz të ndryshëm prej se ka shpërndarë videon.