Fryrja e buzëve, tendencë e frikshme

Tendencat më të fundit të vajzave për të fryrë buzët, kapakët e syve, mollëzave në faqe apo të tjera pjesë të trupit, kanë bërë që një pjesë e tyre të pësojnë shtrembërime në fytyrë apo transformime të pakëndshme, të cilat kanë ardhur si pasojë e produkteve kozmetike të dëmshme apo të injektuara tanimë edhe nëpër parukeri.

Kjo ka nxitur hartimin e një ligji që fut në sitë kontrolli të gjithë produktet kozmetike që hyjnë në Shqipëri, që nga pasta e dhëmbëve deri tek këto substanca që përdoren për të ndryshuar në mënyrë estetike imazhin që deri tani kanë qenë jashtë kontrollit.
“Ankesat e mëdha dhe numri i jashtëzakonshëm i madh i këtyre deformimeve që janë hasur gjatë kësaj periudhe që ne kemi inspektuar, ka bërë të domosdoshëm miratimin e këtij ligji. I gjithë ky treg ka qenë i pakontrolluar dhe të gjitha këto produkte përdoren për qëllime humane”, shprehet Eltar Deda, Inspektorati Shëndetësor Shtetëror.Specialistët dermatologë thonë se “fillers” me acid ialuronic e bërë tani edhe në parukeri mund të shkaktojë deri në skleroza të enëve të gjakut dhe në verbime, apo “pillinng” jo nga dermatologu shkakton njolla në fytyrë.

Sipas Dedës, tanimë çdo produkt kozmetik do të kontrollohet që në doganë dhe importuesi duhet të pajisë atë me certifikatë shoqëruese, madje të shoqëruar edhe me etiket në gjuhën shqipe.

“Çdo produkt do të kalojë fazën e parë para hyrjes në treg dhe në momentin që do të ketë një certifikatë sigurie nga ana jonë, do të mundet të futet në treg”, shprehet Deda.

Kontrolli i këtyre produkteve kozmetik do të shtrihet deri në shpërndarjen e tij tek konsumatori, ndërkohë që Inspektorati Shëndetësor Shtetëror do të shtrijë kontrollet edhe nëpër sallone bukurie, të cilat ofrojnë këto shërbime./tch