Fushata e Trump pranon avantazhi e Clinton

Fushata e republikanit Donald Trump ka pranuar se zonja Clinton është në avantazh të dukshëm ndaj tyre, por kjo nuk do të thotë se ata do të heqin dorë. Sondazhet tregojnë se Clinton është para edhe në shtete që zakonisht mbështesin republikanët. Të premten, Trump bëri një deklaratë të rrallë duke pranuar se mund të humbasë zgjedhjet presidenciale, por vetëm një ditë më vonë, ai publikoi planin e tij për 100 ditët e para në zyrë.
Fushata e Donald Trump ka pranuar se republikani është pas Hillary Clinton në sondazhe, teksa na ndajnë rreth 2 javë nga zgjedhjet presidenciale. Kellyanne Conway, menaxhere e fushatës së Trump ka pranuar se Clinton gëzon disa avantazhe ndaj biznesmenit, por theksoi se ata nuk do të hiqnin dorë. Ajo përmendi faktin se bashkëshorti i Clinton është ish-presidenti i vendit, i cili po bën fushatë për të, ndërkohë që edhe presidenti aktual dhe bashkëshortja e tij kanë shprehur haptazi mbështetjen për Clinton, duke i dhënë asaj përparësi në sondazhet paraprake. Megjithatë Conway përmendi mbështetjen e madhe që Trump gëzon, gjë që është dukur edhe gjatë fushatës së tij.
Sondazhet e reja tregojnë se zonja Clinton është para Trump në nivel kombëtar dhe në shumë shtete të rëndësishme për zgjedhjet. Fushata e saj ka parashikuar se këto do të jenë zgjedhjet më të mëdha në historinë amerikane, ndërkohë që sondazhet tregojnë se edhe shtete si Utah dhe Arizona mund të votojnë për demokratët, për herë të parë pas shumë dekadash. Një fitore e demokratëve në Arizona i hap rrugën sukseseve të metejshme elektorale, ndërkohë që për republikanët ky mund të jetë fillimi i një makthi afatgjatë politik.
Zonja Clinton ka thënë se tashmë nuk do t’i përgjigjet më fjalëve të Trump dhe do ta shpenzojë kohën duke theksuar rëndësinë e zgjedhjes së demokratëve në Senat. Të premten, Trump bëri një deklaratë të rrallë, duke pranuar se ai mund të humbiste në zgjedhjet presidenciale. Por, vetëm një ditë më vonë, ai shpalli planin e tij për 100 ditët e para në zyrë. Teksa na ndajnë vetëm 16 ditë nga zgjedhjet, vëmendja është përqëndruar në polemikat lidhur me fushatën e tij.
Duke mos iu larguar deklaratave të tij të bujshme, Trump ka premtuar se do të padisë çdo grua që e ka akuzuar atë për ngacmime seksuale. Ai gjithashtu ka përsëritur pretendimet e tij se zgjedhjet janë të manipuluara, për shkak të mashtrimeve në qendrat e votimit dhe mbështetjes që media i ka dhënë Clinton.