Futbollisti shqiptar, njëri nga 7 të rinjtë më të mirë të Champions-it

Faza e grupeve të Ligës së Kampioneve startoi mbrëmë, duke rikthyer emocionet e garës më të rëndësishme europiane për klubet në kontinentin tonë. Eshtë një fillimi i freskët, një fillim i ri, teksa janë 32 klube, të mëdha e më të vogla, që garojnë për kurorën në këtë stad. Midis tyre është edhe Real Madridi, kampioni i Europës në fuqi, që synon ta fitojë këtë trofe tri herë radhazi, çka do të përbënte një rekord më vete. Tabloidi britanik, “The Sun”, është ndalur sot dhe ka qëmtuar se cilët janë shtatë lojtarët e rinj, për t’u parë me vëmendje në garën e këtij sezoni, mes të cilëve ka përfshirë edhe lojtarin e kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, pjesë e skuadrës italiane të Napolit. Për shkodranin kuqezi, kjo media e mirënjohur britanike, shkruan:

“Elseid Hysaj, 23 vjeç, tashmë e ka vendosur veten si një nga mbrojtësit më të mirë në Europë. Ai ka 34 ndeshje me kombëtaren e Shqipërisë, ndërsa lulëzoi si adoleshent tek Empoli i Maurizio Sarrit, para se ta ndiqte këtë të fundit te Napoli, në vitin 2015. Skuadra nga Seria A, ku luan Hysaj, do të përballet me Manchester City, Feyenoord dhe Shakhtar Donetsk në grupin e vet.” Veç shqiptarit, në këtë listë lojtarësh figurojnë edhe Christian Pulisic (Borussia Dortmund), Timo Werner (RB Leipzig), Joe Gomez (Liverpool), Youri Tielemans (Monaco), Clement Lenglet (Sevilla) dhe Patrik Schick (Roma).