Garë e fortë për Prishtinën: Ja kush do të kandidoj për kryetar! (EMRAT)

Në kohën kur kanë mbetur vetëm edhe disa muaj deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale, në opinion kanë filluar të lakohen emrat e atyre që mund të jenë kandidat për të parin e Kryeqytetit.

E vetmja parti që deri më tash edhe zyrtarisht e ka caktuar kandidatin për kryetar të Prishtinës është Lëvizja Vetëvendosje.

Është pikërisht kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti ai i cili edhe publikisht e ka pranuar që do të rikandidoj edhe për një mandat për të qeverisur me Prishtinën.

“Luftë” në LDK!

Ndërkohë, partitë tjera ende nuk e kanë caktuar kandidatin për të parin e Prishtinës.

Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila shihet si partia e cila do ta sfidoj më së shumti Vetëvendosjen në garën për Prishtinën, ende nuk është përcaktuar për kandidatin e saj.

Gazeta Blic nga burime të saja ka marrë vesh se është një “luftë”e ashpër në lidhje me atë se kush do t’i dalë në “ballë” Shpend Ahmetit.

Deri më tani sipas burimeve të Gazetës Blic, si emra të mundshëm po përmenden ai i ish- kryetarit të Prishtinës, Ismet Beqiri, i ministrit aktual të Punës dhe të Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi dhe i këshilltarit të Isa Mustafës, Sokol Havolli.

“Këta janë emrat më serioz për t’u kandiduar për kryetar të Prishtinës, mirëpo deri më tani nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim”, tha ky burim i Gazetës Blic.

Ndërkaq, zyrtarisht në LDK ka një heshtje totale për këtë temë.

Gazeta Blic ka provuar që të flas me të gjithë të këta kandidatë të mundshëm për kryetar të Prishtinës, mirëpo asnjëri prej tyre nuk ka folur në lidhje me këtë çështje.

As nga Kryesia e LDK-së, askush nuk ka dashur të flas për këtë temë. Gazeta Blic e ka provuar nënkryetarin Agim Veliu, mirëpo ky i fundit nuk ka kthyer përgjigje.

Këta janë kandidatët e mundshëm të PDK-së për kryetar të Prishtinës!

Partia Demokratike e Kosovës e cila nuk e ka “top” priroritet Komunën e Prishtinës, gjithashtu i ka menduar tre emra si kandidatë për kryetar të kryeqytetit.

Gazeta Blic nga burime të saja brenda PDK-së ka marrë vesh se kandidati më serioz për kryetar të Prishtinës është Lirak Çelaj, i cili është edhe një kritikues i madh i qeverisjes aktuale në kryeqytet.

“Pos Çelajt, PDK dhe lideri i saj, Kadri Veseli si opsione shumë serioze i shohin edhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci dhe ate të Bujqësisë, Memli Krasniqi”, tha ky burim.

Mirëpo, zyrtarisht nga kjo parti kanë theksuar se ende nuk është mbledhur partia që të diskutoj për një çështje të tillë.

Bekim Haxhiu, anëtar i Kryesisë dhe deputet i PDK-së, i kontaktuar nga Gazeta Blic ka theksuar se ende nuk janë mbledhur për këtë çështje dhe se nuk kanë vendosur se kush do të garoj për kryetar të Prishtinës nga kjo parti.

AAK e Nisma do të shkojnë me një kandidat?!

As dy partitë tjera opozitare që tashmë kanë bërë koalicion parazgjedhor, AAK e Nisma nuk kanë vendosur se kush do të jenë kandidatët e tyre për kryetar të Prishtinës.

Emri i këshilltarit të Ramush Haradinajt, Avni Arifi shihet si më i mundshmi për t’u kandiduar nga ana e AAK-së për kryetar të Prishtinës.

Arifaj pos që është kryetar i kësaj partie në Prishtinë, sipas burimeve të Gazetës Blic ai tash e sa kohë është duke u përgatitur për t’i hyrë kësaj gare.

Mirëpo, vetë Arifaj i kontaktuar nga Gazeta Blic ka thënë se kjo parti ende nuk ka vendosur për këtë çështje.

“Jo ende nuk e kemi zgjedhë. Besojë që gjatë muajit mars do ta zgjedhim”, tha Arifi.

Mësohet se si emër i mundshëm nga AAK është edhe ai i nënkryetarit, Gazmend Abrashi.

Në anën tjëtër, edhe deputetja e Nismës, Valdete Bajrami ka thënë se kjo parti ende nuk ka diskutuar për kandidatin e saj për Kryeqytet.

“Jo ne ende nuk jemi mbledhur për të diskutuar për këso temash, besojë që kryesia shumë shpejt do të mblidhet”, tha ajo.

Por Gazeta Blic ka mësuar se dy partitë janë duke diskutuar që jo vetëm në Prishtinë, por në shumicën e komunave të shkojnë në koalicion të përbashkët.

Në anën tjetër, as AKR ende nuk e ka vendosur se kush do të kandidoj në zgjedhjet lokale të vjeshtës, për kryetar të Kryeqytetit.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2013, Shpend Ahmeti kishte arritur që në balotazh ta mundte Isa Mustafën, duke e thyer kështu për herë të parë bastionin e LDK-së që nga pas lufta. / Gazeta Blic