Gashi në garë për çmimin “Debutuesi i Vitit”

Tetë gola dhe katër asiste.

Shkëlzen Gashi është kthyer në një prej pikave të forta të Colorado Rapids në këtë sezon të Major League Soçer, duke u shndërruar edhe në kandidat për të fituar çmimin “Debutuesi i Vitit”.

Sulmuesi shqiptar është përfshirë në garën për trofeun e lojtarëve që kanë spikatur prej sezonit të parë në kampionatin amerikan të futbollit.

Pavarësisht vuajtjeve të Colorados në fazën ofensive, apo faktit që 28-vjeçari ka munguar në disa ndeshje të kampionatit për shkak të angazhimeve ndërkombëtare, Gashi respektoi parashikimet, duke u shndërruar në një prej yjeve të kampionatit.

Sulmuesi shqiptar do të garojë përballë dy emrave të mëdhenj të Los Angeles Galaxy.

I pari është mbrojtësi Ashley Cole, me 35-vjeçarin anglez që ka befasuar prej transferimit nga Roma, ndërsa tjetri është mbrojtësi belg, Jelle Van Damme, me një të kaluar te Ajax, Anderlecht, Werder Bremen apo edhe Southampton e Wolverhampton.

Në garë për çmimin “Debutuesi i Vitit” janë edhe mesfushori difensiv i përfaqësueses Ekuadoriane, Carlos Gruezo që militon te FC Dallas, dhe uruguaiani Nicolas Lodeiro, mesfushori me tipare ofensive që mbron ngjyrat e Seattle Sounders.

Shkëlzen Gashi dhe katër kandidatët e tjerë synojnë të fitojë çmimin, që vitin e kaluar i shkoi italianit Sebastian Giovinco.

Në pritje të vlerësimit individual, sulmuesi shqiptar luajti për afro 70 minuta në ndeshjen që Colorado Rapids fitoi 2-1 përballë San Jose Earthquakes.

Suksesi i parë për ekipin nga Denveri prej vitit 2011 u vulos nga dy golat e Kevin Doyle.

Me këtë fitore, Colorado mori kryesimin e Konferencës së Perëndimit, në rrugën drejt titullit kampion të Shteteve të Bashkuara./SuperSport