Gazeta zvicerane: Nëse Vetëvendosje merr pushtetin, Kosova izolohet

 

Rrëzimi i Qeverisë Mustafa nga Kuvendi i Kosovës, të mërkurën, ka bërë bujë të madhe edhe në mediat e huaja.

Sot, e përditshmja zvicerane Neue Zürcher Zeitung ka bërë një analizë të situatës aktuale politike në Kosovë dhe një parashikim të së ardhmes, pas rrëzimit të Qeverisë.

Teksa flet për zgjedhjet e parakohshme në vend, që do të mbahen më 11 qershor, NZZ, ndër të tjera, parashikon për rrezikun që mund të shkaktohet në rast se qeverisjen në Kosovë e marrin “nacionalistët majtistë”.

Rregullat e politikës me shumë gjasë do të ndryshonin nëse Lëvizja Vetëvendosje formon qeverinë e ardhshme, parashikon gazeta zvicerane në gjuhën gjermane.

NZZ paralajmëron se realizimi i një skenari të tillë do të çonte në izolimin e Kosovës.

“Nëse nacionalistët majtistë e përcaktojnë agjendën (shtetërore), kjo do të mund të çonte në konfrontim me Beogradin dhe Brukselin”, shkruan NZZ.

Kosovës, shkruan NZZ, i është premtuar anëtarësimi në Bashkimin Evropian, në një të ardhme të pacaktuar, në shkëmbim të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe shuarjes së ambicieve për bashkim kombëtar me Shqipërinë.

Vetëvendosje, thotë NZZ, do ta rrëzonte këtë “pakt” me të ardhur në pushtet, teksa synon vetëvendosje të vërtetë në vend.

Sipas NZZ, rrëzimi i këtij koordinimi me partnerët ndërkombëtarë do ta lente Kosovën të izoluar për një kohë të gjatë.

Gazeta zvicerane shkruan se në vend se të kontrollohet nga Brukseli e Uashingtoni, Vetëvendosje parasheh që Kosova ta krijojë ushtrinë e saj, dhe të diskutojë me Serbinë vetëm për njohjen e pavarësisë së saj.

NZZ kujton se Vetëvendosje do që për bashkim kombëtar të mos vendosin fuqitë e mëdha, por qytetarët e dy shteteve – Kosovës e Shqipërisë.