Gjarpërinjtë “pushtojnë” shkollën në Kërçovë(VIDEO)

Nuk është tregim i kohërave të kaluara, kur më të moshuarit rrëfenin mbi përvojat që kanë pasur me gjarpërinjtë. Nuk është as storje që dëshmon mbi ekzistencën e tyre në biodiversitet, pra në hapësirat e gjelbra apo me ujë ose storje që flet mbi ndonjë rajon në ndonjë vend afrikan. Storja e ALSAT sqaron mbi ekzistencën me bollëk të gjarpinjve në oborrin e Shkollës Fillore në fshatin Cërvicë të Kërçovës. Çdo shkuarje e nxënësve në shkollë përcillet me ankth dhe tmerr. Shpesh ndodh që gjarpërinjtë të jenë mysafir të paftuar edhe në klasa.

“Shumë kam frikë, sepse mendoj se janë në klasë”, u shpreh një nxënës.

A keni pra brenda gjarpër?

“Po te zyra e shërbëtorëve”, theksoi një nxënës .

“Por kemi pa dhe kemi shumë frikë, një ditë na hyri brenda në klasa, aty tek zyra e shërbëtorëve. Më shumë e kemi mendjen jashtë mos na hyjnë gjarpërinjtë”, u shpreh  nxënësi.

“Kemi frikë të vijmë në shkollë”,tha një nxënës.

Përderisa gjendja në këtë shkollë është dramatike, që e rrëqeth secilin, drejtori i saj dhe organet përgjegjëse mendohen nëse do të riparojnë objektin e shkollës apo do të ndërtojnë një shkollë të re.

“Ne për këtë godinë shkollore bashkë me komunën e Kërçovës, gjegjësisht kryetarin, kemi bë një plan një projekt për ta rinovua shkollën, edhe pse jemi në hamendje nëse do bëjmë një godinë të re shkollore. Prandaj e kemi edhe projektin dhe si projekt përmes komunës e kemi dorëzuar edhe në Ministrinë e Arsimit”, u shpreh Kujtim Kasami, Drejtor i shkollës fillore “Naim Xhambazi”, Cërvicë Kërçovë.

“Kemi disa muhabete disa të dhëna kështu se me letër nuk kemi as ne as drejtori se gjoja duhet bë riparimi i shkollës, mirëpo ne dhe bashkëfshatarët nuk lejojmë të riparohet kjo shkollë, se kjo s`ka çka riparohet por duhet prishur dhe bërë një shkollë e re pa marrë parasysh sa nxënës kemi na duhet një shkollë e re”, theksoi Nishat Xhambazi, Kryetar i Këshillit të Prindërve.

“Vendi që shihni këtu që është rrënuar, kohë më parë kanë qenë shkallë ulëse të betonit për të ndjekur ndeshjet sportive në këtë mini stadium por, thonë organet e shkollës, i njëjti është prishur se këtu ka qenë strofull e gjarpërinjve që gjithnjë me daljen e tyre kanë rrezikuar si nxënësit po ashtu edhe të punësuarit mirëpo, ky nuk është vend i vetëm strofull i gjarpërinjve në këtë shkollë. Po ashtu një rrezik shumë i madh paraqitet edhe nga muri prapa shkollës që është kalbur nga vjetërsia dhe është strofull gjarpërinjsh ku dalin më së shpeshti”.

Objekti i Shkollës Fillore në Cërvicë është i ndërtuar në vitet e shtatëdhjeta me kontributin e banorëve, ndërsa dije fitojnë mbi 60 nxënës, ndërsa mësim japin vetën 11 arsimtarë.

Bashkim Sulejmani