Gjeneral Edip Ohri u varros në Tiranë me nderime të larta ushtarake

Nga Mehmet Latifi/Tiranë

Në varrezat e Tiranës, u zhvillua ceremonia e varrimit të gjeneral Edip Ohrit-legjenda e aviacionit shqiptar.

Ai u varros me nderime të larta ushtarake, duke bartur arkivolin me trupin e Edip Ohrit, pjestarët e Gardës së Republikës së Shqipërisë, që paraprakisht ishte ekspozuar në Muzeun ushtarak të Ministrisë së mbrojtjes, në kompleksin e  Shkollës së Bashkuar, ku u bënë homazhe na familjarët, miqët, ish kolegët e tij si dhe zyrtarëve të lartë ushtarak, ministreja e mbrojtjes Mimi Kodheli, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, gjeneral Jeronim Bazo me pjestarët e të gjitha gjinive ushtarake të Shqipërisë, ish komandanti i aviacionit të Shqipërisë, gjeneral Astrit Jaupi, Heroi i Popullit, gjenerali 97 vjeçar Rrahman Parllaku, miq e farefis nga Shkupi, Struga etj, si dhe delegacioni nga komuna e Strugës me në krye sekretarin e komunës së Strugës,  Krenar Lloga etj.

Të fundit që u përshëndetën me gjeneral Edip Ohrin ishin ish komandanti i aviacionit të Shqipërisë, gjeneral Astrit Jaupi dhe gjenerali 97 vjeçar-Heroi i Popullit, Rrahman Parllaku.

Në fjalën e tij lamtumirëse, gjeneral Astrit Jaupi, mes tjerash theksoi:

“Ai do të jetojë si një rrap shekullor, me rrënjët e ngulitura thellë në tokë dhe lartë në qiell. Ai ishte organizator e frymëzues akademik, e çka jo tjetër në qiell e në tokë.Vepra e tij do të jetë e përhershme. Lamtumirë Komandant”-përfundoi gjeneral Astrit Jaupi.

Ndërkaq gjeneral Rrahman Parllaku-Heroi i Popullit, në fjalën e tij mes tjerash, me zë të dridhur dhe plot emocione theksoi:

“ Ai ndrroi jetë pasditen e datës 21 shkurt 2017, pas një sëmundje të rëndë. Edip Ohri lindi në Strugë më 1926 në një familje fisnike, po i mbetur jetim e u rrit nën kujdesin e një fisniku të madh, siç ishte Qazim Bej Vlora, nga mori një edukatë shëmbullore, si vëllai Dashamiri dhe motrat Edibeja e Hyrmete.
Edipi trashëgoi e çoi më përpara traditat më të mira të të parëve të tij, si atdhedashurinë, shpirtin e sakrif cës, guximin e trimërinë etj.

Ai arrestohet padrejtësisht  më 16 tetor 1980 dhe akuzohet për përgatitjen e një grushti shteti ushtarak dhe propagandë anti-shtetërore. Pas disa muaj hetimi Edip Ohri, së bashku me gjashtë oficerë të tjerë del në gjyq. Në janar të vitit 1981, dënohet me 14 vjet burg, dënim i kryer fillimisht në Ballsh në Zejmen. Në vitin 1985, dërgohet në burgun famëkeq të Burrelit ku qëndron deri sa lirohet si rezultat i amnistisë së 29 nëntorit 1989.
Gjatë kohës së vuajtjes së dënimit të padrejtë, në burgun e Burrelit është i njohur dhe për pathyeshmërinë e treguar. Ai kishte cilësi të larta njerëzore, ndershmëri, sinqeritet, mirënjohje ndaj të tjerëve, përkushtim të patundur ndaj Atdheut.

Edip Ohri ishte një pilot i madh. Nuk kishte mjet ajror në Shqipëri, me të cilin nuk kishte fluturuar,  me avionët luftarakë me helikë të tipit JAK dhe PO, me avionin bombardues, me avionët gjuajtës me helikë, me avionët reaktivë MIG-15, MIG-17, me supersonikun MIG-19; me helikopterët MI-1 e MI-4, si dhe me avionët e transportit. Ai realizoi rreth 4000 orë fluturime, pa e ndërprerë asnjëherë punën drejtuese si komandant.
Edip Ohri ishte dhe një prind shembullor. Gjatë gjithë jetës së tij, me gjithë kalvarin e vujatjeve u dhuroi bashkëshortes e  vajzave që ishin dhe janë krenaria e gëzimi i tij, duke dëshmuar kujdesin e dashurinë e babait të tyre, ndaj fëmijëve. Ai ishte prind, mësues dhe edukator, që i rriti dhe edukoi ato me ndershmërinë dhe besnikërinë e patundur ndaj popullit e Atdheut tonë të dashur. Ai u dha atyre forcë, pathyeshmëri e krenari. Ndaj dhe sot, ne jemi bashkë me dhimbjen e tyre të thellë.
Lamtumirë miku e bashkëpunëtori ynë i paharruar.  Të qoftë i lehtë dheu i tokës mëmë! Parajsa qoftë vendbanimi yt i përjetshëm!

Nga Shtabi i Pwrgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe nga Forcat Ajrore të Shqipërisë arritën telegrame ngushëllimi. Në emër të familjes së Edip Ohrit, faleminderoi nipi i tij Roland Ohri.

edi ohriedip2