Gjermania, 50 mijë vende të lira pune, ja ku mund të aplikoni

Afro 50.000 vende pune ofrojnë kompanitë gjermane, për të cilat mund të aplikojnë qytetarë nga Shqipëria. Mjekë, infermierë, inxhinierë të të gjitha kategorive, teknikë kompjuterësh, zanatçinj, hidraulikë, elektricistë, muratorë, mekanikë makinash, gomistë janë vetëm disa nga profesionet për të cilat mund të aplikohet nëpërmjet portalit on-line “Make it to Germany”. Kjo faqe në internet është çelur në bashkëpunim nga ministria e Çështjeve Ekonomike dhe Energjisë, nga ministria e punës dhe Çështjeve Sociale si dhe nga Agjencia Gjermane e Punësimit. Kjo faqe në internet përditësohet shumë shpesh dhe kompanitë hedhin automatikisht kërkesat e tyre për profesionistë të fushave të ndryshme. Portali Agjencia Gjermane e Punësimit ka publikuar listën e profesioneve ku ka vende të lira në ekonominë më të fortë në Evropë. Të gjithë ata që jetojnë jashtë vendeve të BE-së, pra përfshi Shqipërinë, Kosovën a po Maqedoninë mund të aplikojnë për punësim legal në Gjermani. Paga mesatare neto në Gjermani është 2000 euro, ndërsa paga e personelit mjekësor dhe kujdestarëve varion nga 2000 deri në 2200 euro në vlerë bruto. Në këtë link, ju mund të shihni se cilat profesione kërkohen më së shumti nga punëdhënësit gjermanë: www.make-it-in-germany.com.

Për të konkurruar për vendet e punës, është e nevojshme të tregoni se keni nivel arsimor dhe të respektohen rregullat e lejes së qëndrimit në Gjermani. “Ekziston një shans për punonjësit të cilët nuk janë nga BE-ja për të marrë vende pune, pasi këto profesione kërkohen shumë në Gjermani, pasi nuk ka kandidatë të mjaftueshëm të brendshëm”, thekson Agjencia Gjermane e Punësimit. Në portalin e Rrjetit Europian të të dhënave të punësimit, raportet tregojnë se Gjermania ka hapur konkurs për 267.144 vende të lira pune. Viza Ambasada Gjermane në Tiranë ka publikuar një udhëzues për të gjithë ata persona që janë të interesuar të punësohen me dokumente të rregullta në Gjermani. Sipas tij, personat që mund të punësohen me dokumente të rregullta ndahen në dy kategori: Ata që kanë një vend të garantuar pune nga punëdhënësi e që përmbushin kushtet për një lëshim vize dhe ata që kanë kualifikime të veçanta pune.

Procedura Në mënyrë që kërkesa juaj për vizë të mund të shqyrtohet shpejt, këshillohet që të respektohet procedura në vijim. Para se të caktoni një takim për aplikim për vizë, ju duhet të keni dokumentacionin në vijim: Ofertën me karakter detyrues të vendit të punës apo kontratën tashmë të nënshkruar të punës ose kualifikimit profesional me një punëdhënës konkret apo ndërmarrje, që ofron kualifikimin profesional në Gjermani dhe miratimin paraprak të autoriteteve gjermane përgjegjëse për punësimin. Zanati më i lakmuar Në fillim të vitit 2010, shteti Gjerman lëshoi një udhëzim, përmes të cilit kërkoheshin mjekë nga Shqipëria. Asokohe, pak besonin dhe shumë të tjerë mbetën skeptikë deri më sot. Por, ata që guxuan dhe ndoqën procedurat e caktuara, vetëm pak kohë pas emigrimit treguan përvojën, e cila joshi për shkak të pagës shumë kolegë të tjerë. 250 punonjës të shëndetësisë janë larguar nga Shqipëria përgjatë dy viteve të fundit, nga të cilët, 170 mjekë dhe 80 infermierë. Shkak i emigrimit, sipas tyre është bërë paga e ulët, presioni që hasin në mjediset e punës statusi social që kanë ata në shoqëri. Janë kryesisht mjekët e rinj sot, ata që guxojnë për shkak të pamundësisë për të gjetur një vend pune dhe pamundë- sisë për të fituar një vend në ciklin e tretë të studimeve. Kriteri kryesor për të zënë një vend punë në klinikat apo spitalet gjermane është gjuha e mbrojtur në nivelin C1.

Profesionet
Asistent teknik; Inxhinier mekanik; Elektricist; Instalues elektrik; Elektricist për ndërtimin; Hidraulik; Teknik
i ngrohjes; Punëtor pa kualifikime për ujë; Shofer; Monitorim i infrastrukturës hekurudhore; Mirëmbajtja e infrastrukturës në hekurudhat; Infermierë në pediatri; Infermierë në kirurgji; Infermierë në klinikë; Anesteziolog; Ndihmës anesteziolog;
Kujdestarë për të moshuar; Specialistë në klinika gjeriatrike; Specialistë në onkologji; Specialistë në endoskopi; Specialistë në nefrologji; Specialistë në rehabilitim; Profesionistë të shëndetësisë; Teknikë kompjuterësh; Hidraulikë; Muratorë; Mekanikë mjetesh; Gomistë.