Gjermania do largojë shpejt ata që ju është refuzuar azili

Sulmi i Berlinit ka tronditur themelet e sigurisë në Gjermani. Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere, deklaroi se vendi do të përshpejtojë procesin e dëbimit të emigrantëve që u është refuzuar azili.

Ndërsa sa u përket atyre që kërkojnë të depërtojnë në Gjermani nga kufiri me Austrinë, qeveria ka vendosur që të zgjasë procesin e kontrollit të dokumentacionit të tyre për shumë muaj.

“Aktualisht, nuk e parashikojmë një datë të caktuar për ta”, tha De Maiziere.

Edhe pse numri i refugjatëve që tentojnë të hyjnë në Gjermani ka rënë në mënyrë të konsiderueshme nga një vit më parë, sërish vendi mbetet më i lakmuari në Europë për emigrantët që tentojnë një jetë më të mirë.

Pas sulmit të së hënës së kaluar në Berlin, ku 12 u vranë nga një terrorist i ISIS, incidenti ka rindezur diskutimin lidhur me kufijtë e hapur ne Europë. Anis Amri, autori i sulmit, ka udhëtuar nga Gjermania në Itali nëpërmjet Francës, para se të qëllohej për vdekje nga policia në Milano ditën e premte.