Gjermania: Kosova s’ka kohë dhe para për zgjedhje të reja

Ambasadorja e Gjermanisë në Prishtinë, Angelika Viets, ua ka shuar shpresat qytetarëve të Kosovës për vizat.

Ajo ka thënë se shanset që diçka e tillë të ndodhë sivjet janë të vogla. Ndërkohë, Viets nuk u ka dhënë shpresë as partive që po kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve, duke thënë se ato nuk zgjidhin asgjë. Madje sipas diplomates gjermane, Kosova nuk ka as kohë as para për zgjedhjet.

Në një intervistë për Radio Kosovën, Viets ka folur edhe për punësimet e kosovarëve në Gjermani, duke thënë se Ambasada ka shqyrtuar 5300 kërkesa për viza pune.

Nga 1 janari i këtij viti ka filluar punësimi i qytetarëve të Kosovës, të cilët arrijnë të sigurojnë një ofertë dhe garanci pune në Gjermani. A jeni duke punuar për të shpejtuar procedurat e marrjes së vizave të punës për ta?

  Angelika Viets: Ndoshta nuk e keni ditur, por ne kemi reduktuar në mënyrë të konsiderueshme pritjet për termine dhe marrjen e vizave. Siç e dini, në Kosovë ka shumë pak mundësi punësimi, ndërsa në Gjermani po ballafaqohemi me mungesë të fuqisë punëtore.

Janë këto dy nevoja në mënyrë teorike këto që janë përputhur mes vete, prandaj nga janari i këtij viti është krijuar kjo mundësi punësimi në Gjermani dhe kjo jo vetëm për Kosovën, por edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor. Pra, në të gjitha rastet kur plotësohen kushtet ligjore, në u japim viza pune personave që kanë parashtruar kërkesën për vizë, pasi të kanë arritur të sigurojnë një garanci pune dhe leje pune nga ndonjë firmë gjermane.

Nga 10 janari kemi pasur një vërshim enorm të kërkesave për viza pune, ku mijëra kosovarë, pasi kanë siguruar një kontratë pune me firmat në Gjermani, kanë parashtruar kërkesa për viza pune. Pikërisht për shkak të kësaj dyndje të madhe për viza pune, në fillim pritja për një termin ka zgjatur deri në pesë muaj. Mirëpo, ndërkohë, si rezultat i zgjerimit të hapësirave dhe pas shtimit të personelit për shqyrtimin e kërkesave për vizë, ia kemi dalë që kohën e pritjes për një vizë pune, ta reduktojmë deri në dy muaj pritje, që nga dita kur bëhet kërkesa për termin e deri në ditën kur dorëzohet kërkesa për vizë pune.

A keni një statistikë, sa qytetarë nga Kosova deri më tani kanë marrë viza pune në ambasadën tuaj për punësim në Gjermani?

 Angelika Viets: Nga janari përafërsisht i kemi shqyrtuar rreth 5300 kërkesa për viza pune dhe shumicën e tyre i kemi lejuar pasi kanë plotësuar të gjitha kushtet ligjore. Prej tyre i kemi refuzuar 1000 kërkesa, ndërsa në listën e pritjes për shqyrtim ndodhen diku edhe 1350 kërkesa të reja për viza pune.

A ka një kuotë të veçantë për qytetarët e Kosovës apo kjo mundësi vlen për të gjitha vendet e Ballkanit njësoj?

 Angelika Viets: Nuk ka kuotë të veçantë. Mundësia është e hapur për të gjashtë vendet e Ballkanit njësoj dhe kjo është një favorizim i madh ndaj këtyre  gjashtë vendeve të Ballkanit perëndimor, sepse kjo mundësi nuk vlen për vende të tjera. Brenda këtyre vendeve të Ballkanit perëndimor që kanë këtë mundësi nuk ka dallime, sepse ne nuk bëjmë diferenca të tilla.

Kjo është një mundësi e shkëlqyer sidomos për qytetarët e Kosovës ku papunësia është e madhe. Për sa kohë do të ekzistojë kjo mundësi ligjore për punësim në Gjermani?

 Angelika Viets: Kjo mundësi punësimi është e kufizuar, por me një kohëzgjatje deri në vitin 2020. Pra ky opsion do të jetë i hapur deri në vitin 2020 dhe pastaj do të bëhet një rishikim, por gjithnjë me mundësi vazhdimi.

Ajo që  populli i Kosovës po pret është liberalizimi i vizave. Mund të presim që më 24 dhjetor të këtij viti të hiqen vizat për Kosovën?

 Angelika Viets: Përgjegjësia dhe kompetenca për heqjen dhe liberalizimin e vizave për Kosovën është në duart e Komisionit Evropian. Kështu që unë nuk mund të flas në emër të Komisionit Evropian, por ajo që mund të them është se mundësia për heqjen e vizave këtë vit është shumë e vogël. Praktikisht, Kosova ka pasur në dispozicion disa muaj për të plotësuar kriteret për heqjen e vizave dhe këtë nuk e ka bërë. Komisioni Evropian i ka  dhënë një mundësi Kosovës, që nga dita kur u dha rekomandimi për heqjen e vizave, që të plotësojë kriterin e miratimit të marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi  dhe që të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni.

Askush nuk e ka menduar se çështja e demarkacionit me Malin e Zi mund të shkaktojë një bllokadë të brendshme kaq të madhe dhe kështu si po shkojnë punët, në horizont nuk duket ndonjë mundësi e tejkalimit të kësaj pengese deri në fund të këtij viti. Më duhet tu them në mënyrë të qartë se topi për heqjen e vizave është në anën e Kosovës. Dhe siç po duket, personat, politikanët që po e mbajnë peng këtë çështje, nuk e kanë ndërmend të lëvizin nga pozicionet e tyre të ngurta. Prandaj, kështu siç është puna, unë nuk shoh kurrfarë mundësie që deri në fund të vitit të liberalizohen vizat për Kosovën. Ky është mendimi im personal nëse doni ta dini.

Përmendet edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si kusht. A ka bërë mjaft në këtë drejtim kjo Qeveri?

 Angelika Viets: Ne mendojmë se procesi për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk është përmbyllur dhe se duhet edhe një kohë e gjatë që të punohet në këtë drejtim. Javën tjetër në Kosovë vjen komisari Hahn nga Komisioni Evropian dhe me tu kthyer në Bruksel do ti paraqesë Komisionit Evropian raportin për përparimet e bërë në këtë drejtim, i cili do të bëhet publik, dhe aty do të kemi mundësinë të lexojmë dhe të shohim se cili është vlerësimi i Bashkimit Evropian për kryerjen e detyrave të shtëpisë nga Qeveria e Kosovës. Sidoqoftë, ne po shohim përditë se në shumë fusha korrupsioni po tolerohet dhe nuk po luftohet në përmasat e duhura. Ka përpjekje që meritojnë të lavdërohen, por ky është një proces i gjatë që lidhet edhe me ndryshimin e mentalitetit për nevojën e luftimit të krimit dhe korrupsionit.

Kohëve të fundit ka pasur tensione midis Kosovës dhe Serbisë. Vështirësi dhe mospajtime ka edhe në dialogun që po zhvillohet në Bruksel.  Si i vlerësoni ju këto zhvillime për dialogun në Bruksel?

 Angelika Viets: Dialogu që po zhvillohet në Bruksel është një temë shumë e rëndësishme për Serbinë dhe veçanërisht për Kosovën. Mund të ju them se nuk kalon as një ditë pa menduar për rrjedhën e këtij dialogu dhe në ç’ është e vërteta, ai tani ka stagnuar, ndërsa për pasojë marrëveshjet e arritura nuk po zbatohen. Nuk dua të spekuloj pse po ndodh kjo, por ajo që mund të ju them, është se nuk ka rrugë tjetër për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore mes republikës së Kosovës dhe Serbisë, përveç dialogut dhe bisedimeve me njëri – tjetrin. Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë me të gjitha forcat dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i cili po moderohet nga Bashkimi Evropian në mënyrë që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani, dhe që të trajtohen edhe tema të tjera që kërkojnë zgjidhje mes dy vendeve deri në stabilizimin e marrëdhënieve fqinjësore mes dy vendeve.

Kur jemi te dialogu ka një fajësim të dy anshëm për këtë ngecje. Kosova akuzon qeverisë e Serbisë për obstruksion në veri të vendit. Në anën tjetër akuza të njëjta në adresë të palës kosovare po bën dhe Serbia?

 Angelika Viets: Hedhja e fajit nga një palë tek tjetra nuk e ndihmon askënd. Për çdo rast, të dy palët kanë pika për të cilat janë marrë vesh dhe nuk i kanë zbatuar deri më tani. Lista është e gjatë dhe fatkeqësisht ka pasur shumë pak përparim brenda këtij viti. Ka përmirësime të vogla në veri, por për çështjet si janë strukturat paralele, telekomi dhe energjia ende nuk ka zbatim të marrëveshjes.

Ndërkaq, edhe marrëveshja për themelimin e Asociacioni për komunat serbe që mediet me fjalën serbe po e cilësojnë si “Zajdenica” po ashtu nuk është zbatuar. Kjo është një çështje me shumë rëndësi për komunitetin serb dhe komunat në veri. Sa na përket neve, mbështesim çdo iniciativë që çon në implementimin e marrëveshjeve të pazbatuara deri më tani. Këto janë marrëveshje të një rëndësie jetike për të dyja palët. Ndërkohë, po dëgjojmë se disponimi i serbëve të Kosovës nuk është i mirë, dhe se ata duan zhvillim më të madh ekonomik dhe se kanë ndjenjën se nuk janë të përfaqësuar aq mirë.

Për shkak të tensioneve midis opozitës dhe pozitës në Parlament lidhur me Demarkacionin dhe Asociacionin, opozita ka kërkuar disa herë zgjedhje të lira. Tani zëra të tillë janë dëgjuar edhe nga kryetari i PDK Kadri Veseli?

  Angalika Viets: Unë kam ardhur në Kosovë në korrik të viti 2014 në kohën kur zgjedhjet parlamentare ishin mbajtur në Kosovë dhe pastaj pati një periudhë prej gjashtë muajsh derisa u themelua Qeveria e Kosovës. Dhe që nga ajo ditë, përditë dëgjoj kërkesat e partive politike të opozitës që duan mbajtjen e zgjedhjeve të reja! Zgjedhjet do të duhej të kishim në vitin 2018.

Natyrisht, po flasim së tepërmi për zgjedhje të reja si zgjidhje për problemet, por ne si vëzhgues nuk shohim se zgjedhjet e reja ne këtë situatë ku ndodhemi, do të ndryshonin diçka esencialisht. Ne nuk po shohim ndonjë alternativë për politikanët që aktualisht janë aktivë në skenën politike. Me zgjedhje të reja në esencë nuk do të ndryshojë asgjë. Për të qenë më e qartë: zgjedhjet e reja dhe të parakohshme i kushtojnë Kosovës kohë dhe para, gjë që të dyja Kosova nuk i ka.

Kërkesën për zgjedhje të reja opozita e ka sforcuar përsëri këto ditë. Si e vlerësoni sjelljen e opozitës

 Angelika Viets: Fillimisht bllokada ishte bërë përmes hedhjes së gazit lotsjellës dhe tani thirren në temën e demarkacionit. Këto veprime kanë çuar në bllokimin e shuam vendimeve politike dhe kjo nuk është mirë për Kosovën. Konsideroj se në një shtet të ri si Kosova që deshi të pavarësohej dhe u pavarësua, duhet që të bashkohen të gjitha forcat politike, përfshirë dhe opozitën për të punuar në përparimin dhe të mirën e vendit në mënyrë që të përmirësohen kushtet për jetë të njerëzve në vend. Në rastin e Kosovës interesat e partive duhet të lihen anash dhe para tyre të vihen në pah interesat e vendit për të mirën e përgjithshme dhe pikërisht ky është drejtimi në të cilin duhet të zhvillohet  Kosova.

Çështja e Trepçës ka bërë që Kuvendi i Kosovës të bojkotohet nga Lista serbe. A është  zgjidhje bojkotimi i institucioneve të Kosovës nga Lista serbe që është edhe partner i koalicionit?

  Angelika Viets: Mendojmë se në një vend demokratik kultura e bojkotit nuk është kurrë njëherë zgjidhje. Ajo që duhet, është dialogu dhe bisedimet me njëri tjetrin. Siç e dini për miratimin e shumë ligjeve nuk janë të nevojshme këto 11 vota të Listës serbe dhe parlamenti mund të punojë. Mirëpo, për miratimin e disa vendimeve dhe ligjeve tjera në parlament, prania e këtyre 11 votave është e domosdoshme, kështu që bojkotimi i Parlamentit prej Listës serbe është një pengesë për zhvillimin e vendit.

Tani kur është miratuar ligji për investime strategjike, çfarë mund të bëhet më shumë për të tërhequr investimet gjermane në Kosovë?

  Angaleika Viets: Ka pasur disa histori suksesi gjatë këtij viti për të cilat ne jemi gëzuar, por kjo nuk është e mjaftueshme për të nxitur mjaftueshëm zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ajo që është me shumë rëndësi për investitorët gjermanë, është sundimi i ligjit në Kosovë. Transparenca e plotë gjatë prokurimit të tenderëve, procedurat e thjeshta, pa burokraci dhe pa korrupsion. Këto i di qeveria e juaj, e cila po punon në këtë drejtim dhe përpjekjet e tilla duhet ti sforcojë vitin tjetër.

Sa është e gatshme të ndihmojë Gjermania dhe si duket perspektiva bilaterale Kosovë – Gjermani?

 Angelika Viets: Gjermania është në mesin e vendeve që ka njohur pavarësinë në orët e para pas shpalljes së saj dhe që nga ajo kohë po mbështesim zhvillimin e Kosovës në mënyrë shumë intensive si në aspektin material e ideor, ashtu edhe përmes personelit dhe deri më tani kemi investuar më shumë se 500 milionë Euro në zhvillimin e Kosovës. Ne vazhdojmë të mbesim të angazhuar dhe në takimet e fundit ndërqeveritare kemi vënë në dispozicion të zhvillimit të Kosovës për dy vite e ardhshme dhe 45 milionë të tjera. Mbështetja e këtyre projekteve zhvillimore në Kosovë është një nga detyrat tona më të rëndësishme këtu.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë po ndërtojnë ambasadën e tyre në Prishtinë. Kam informacione se edhe Gjermania ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës tash e sa kohë të ndaj një truall për ndërtimin e Ambasadës Gjermane në Prishtinë, por ju nuk keni marrë akoma një përgjigje në kërkesën tuaj?

 Angelika Viets: Jemi në pritje të një përgjigje e cila është në përgatitje e sipër. Mirëpo, kjo nuk është e thjeshte, sepse kjo varet edhe nga zhvillimi urban i qendrës së qytetit të Prishtinës në të ardhmen.  Ç’është e vërteta, ne nuk jemi ambasada e vetme që po kërkojmë tokë për ndërtimin e ambasadës në Kosovë. Të njëjtën kërkesë kanë bërë edhe ambasada të shteteve tjera. Ne fillim kur kemi nisur punë si ambasadë kemi qenë vetëm 30 vetë, tani jemi më shumë se 100 dhe siç e shihni dhe vetë, këto hapësira ku jemi, janë shumë të ngushta, sa nuk kemi kah sillemi.

Pra siç shihet, kemi nevojë të ndërtojmë një objekt të ri të ambasadës sonë në Kosovë, por në një qytet kaq të dendur si është Prishtina, kjo nuk është e lehtë. Mirëpo, nga Ministria e Jashtme e dimë se po kërkohet për gjetjen e një zgjidhje dhe jemi në pritje që së shpejti të marrim një përgjigje. Për ne ndërtimi i një ambasade të re është një projekt dhjetë vjeçar, sepse së pari duhet të bëhet plani, pastaj Ministria e Financave të ndajë shumën e parave të nevojshme për ndërtim, pastaj kemi edhe një Autoritet tjetër që është Drejtoria Federale për Ndërtim dhe kryerja e të gjitha formaliteteve deri te ndërtimi i ambasadës mund të marrë deri në 5 vite.