Gjuha jonë sa e mirë por…

Porsa hap televizorin për të parë ndonjë mbledhje të Kuvendit, do të dëgjosh menjëherë barbarizmat dakordsi, dakordsohem, dakordsuar, në vend të fjalëve shqip: marrëveshje, merrem vesh, marrë vesh; ujdi, ujdisem, ujdisur; mirëkuptim, mirëkuptohem, mirëkuptuar. Këto barbarizma (fjalë të gjuhëve të huaja që janë të panevojshme se janë edhe në gjuhën ku futen), këtu tek ne, për çudi, pëlqehen aq shumë nga politikanët tanë dhe nga disa media, sa që porsa dalin në dritë, qysh të nesërmen, futen në fjalorin e tyre duke zëvendësuar fjalët shqipe të përdorura më parë.

Në vitet ‘70-‘80 të shek. që shkoi, shumë barbarizma që përdoreshin në gjuhën tonë u zëvendësuan me fjalë shqipe. Autori ka mbetur anonim, por nisma e tij qe e shkëlqyeshme. Të tilla ishin: kontribut – ndihmesë, presion – trysni, konseguencë – rrjedhojë, konvertim – ndërrim, konkretizim – sendëzim, pretendim – mëtim, mëtesë, mentalitet – mendësi, azhurnim – përditësim dhe shumë fjalë të tjera. Po të kishte vazhduar kjo nismë, sot, gjuha e jonë, nuk do t’ishte pre e barbarizmave që filluan të vërshonin me vendosjen e pluralizmit. Fjala që mund të quhet si flamurtarja që ia preu rrugën nismës së mbarë dhe i hapi rrugën vërshimit të barbarizmash në gjuhën tonë, është fjala konsensus, e përdorur në vend të fjalëve shqipe, miratim, pranim, pëlqim, marrëveshje, (p.sh. vendim i marrë me konsensus vendim i marrë me miratimin e të gjithëve), e shqiptuar për herë të parë në Kuvend pluralist nga kryetari i atëhershëm i atij Kuvendi që kishte kryer studimet në Francë. Kjo fjalë e huaj dhe shumë të tjera që e pasuan dhe vazhdojnë ta pasojnë edhe sot, iu dukën politikanëve t’atëhershëm, dhe vazhdojnë t’iu duken edhe politikanëve të sotëm, shumë joshëse, prandaj i pëlqyen dhe i pëlqejnë aq shumë sa tek ata, me sa duket, është krijuar bindja se futja dhe përdorimi i sa më shumë barbarizmave në gjuhën tonë, do ta bënte këtë më të bukur, më shprehëse dhe do ta pastronin gjuhën nga fjalët shqipe që atyre u duken si “bajate, pa shije dhe të plakura”.

Kompleksi i inferioritetit nga i cili, për fat të keq, ende nuk jemi liruar, sepse vazhdojmë të adhurojmë çdo gjë të huaj dhe të përçmojmë çdo gjë tonën, tek gjuha jonë, vazhdon gjithnjë të shfaqet çdo ditë, qoftë në mbledhjet e Kuvendit, qoftë në media, qoftë (për çudi) edhe në bisedat dhe intervistat e disa njerëzve të kulturës. Mjeti më i fortë për të treguar përçmimin ndaj një gjuhe, është mbushja e saj me barbarizma që ia prishin pastërtinë dhe e shterpëzojnë gjuhën ku futen, se nxjerrin jashtë përdorimit fjalët që e kanë mbajtur gjallë shekuj me rradhë duke i zëvendësuar ato me fjalë të huaja krejtësisht të panevojshme dhe të pakuptueshme për pjesë më të madhe të popullit.

Dukuria e futjes së barbarizmave në gjuhën tonë, është e vjetër, prandaj Fishta, (edhe pse dikur barbarizmat futeshin me pikatore dhe jo si sot kur, fatkeqësisht, rubineti rri i hapur), duke ditur dëmin e madh që këto barbarizma i sjellin një gjuhe, qysh në kohën e tij, lëshonte mallkimin:

Pra, mallkue njaj bir shqyptari,

qi kte gjuhë të Perëndisë,

trashigim qi na la i pari,

trashigim s’ia len ai fmis.

Edhe atij iu thaftë, po, goja

qi e përbuzë kte gjuhë hyjnore,

qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,

flet e t’veten e len pas dore.

Por për mallkimin e Fishtës nuk e ka çarë dhe nuk e çan kokën njeri. Në harkun kohor që nga Konsensusi deri tek Dakordsia e sotme kanë hyrë kaq shumë barbarizma sa këto kanë filluar të bëhen, herë pas here (për fat të keq) pjesë kryesore në fjali si.p.sh. “Prokuroria inicioi investigimet në bazë të indicjeve që ka (Prokuroria filloi hetimet në bazë të të dhënave që ka; Mediatorë të huaj po intervenojnë për gjetjen e solucionit (Ndërmjetës të huaj po ndërhyjnë për gjetjen e zgjidhjes); Kontaminimi i ambjentit është bërë problem për lagjen (Ndotja e mjedisit është bërë poblem për lagjen) dhe shumë të tjera që dëgjojmë dhe shohim herë pas here në mediat pamore dhe të shkruara. Në rast se këtij vërshimi barbarizmash nuk do t’i vihet fre, atëherë, gjuha jonë ka rrezik të kthehet si “gjuha makeronike” e krijuar dhe përdorur në Itali në shekujt XVI-XVII, ku fjalëve të italishtes apo të dialekteve u viheshin mbaresat latine duke i larguar dhe zgjedhuar sipas rregullave të gramatikës latine.

E fillova këtë artikull me Kuvendin sepse fatkeqësisht, Kuvendi ynë është i vetmi Kuvend në botë ku deputetët e tij, në fjalën që mbajnë në mbledhjet e ndryshme, vazhdimisht, në vend të shumë fjalëve të gjuhës sonë, kanë futur dhe vazhdojnë të fusin barbarizma nga gjuhët e tjera, sidomos nga italishtja, të zbukuruara këto me mbaresat e fjalëve tona, por duke përdorur gramatikën tonë për t’i paraqitur si fjalë shqipe. Këto fjalë, të thëna nga salla e Kuvendit, duket se merren si shembull që duhet ndjekur, se për çudi, barbarizmën që thuhet nga një deputet, do ta dëgjojmë në seancat e tjera nga të gjithë deputetët e tjerë, duke filluar nga kryetari i Kuvendit deri tek deputeti që flet një herë në vit në Kuvend, dhe pas disa ditëve i thithin edhe politikanët, disa media dhe të gjithë ata që shembullin e keq të Kuvendit e marrin si shembull që duhet ndjekur.

Por fajin nuk e ka vetëm Kuvendi. Këtë dukuri e shohim kudo. E gjejmë te tabelat e dyqaneve të shumë tregtarëve që kërkojnë dhe gjejnë lloj-lloj emrash për tabelat e tyre, (por vetëm shqip mos të jenë) duke kujtuar se këto fjalë të huaja së bashku me fjalët Open, Close (Hapur, Mbyllur) që i ngjiten dyerve, do ia shtojnë blerësit dhe fitimet. E shohim në këndin e ekranit ku na del vazhdimisht fjala “Live” se fjala shqipe “Drejtpërdrejt” na qenka e shëmtuar, e shohim herë pas here në krye të disa emisioneve televizive, e shohim edhe në titujt e shumë shfaqjeve të bukura që transmetohen nga televizionet tona (The Voice of Albania- Zëri i Shqipërisë; Dancing vith the stars- Duke vallëzuar bashkë me yjet dhe shumë shfaqje të tjera) që, megjithëse shestohen, përgatiten dhe vihen në skenë nga artistë të shquar dhe me kulturë, dhe pra, që e dinë mirë se suksesin një shfaqjeje nuk ia jep titulli, në çdo gjuhë qoftë ai titulli, por loja e përkryer e trupës së artistëve e drejtuar nga një regjisor i aftë, joshen, megjithatë nga titujt në një gjuhë të huaj.

Unë nuk po zgjatem më shumë për të rreshtuar shembuj të tjerë, se për këtë temë është shkruar herë pas here në gazeta të ndryshme, por, fatkeqësisht deri tani, asnjë s’e ka vënë ujin në zjarr. Gjuhëtarët tanë heshtin, megjithëse duhet të jenë të parët që duhet të alarmohen, hesht, gjithashtu edhe Ministria e Arsimit që e ka për detyrë ta mbrojë gjuhën nga dukuri të tilla të dëmshme.

Urojmë që kjo heshtje të jetë sa më e shkurtër!