Gjuriq: Kodi i ri telefonik i Kosovës është pronë e Serbisë

Drejtori i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq ka thënë se shteti i Serbisë janë të kënaqur me marrëveshjen për telekomunikacionin që është bërë në Bruksel, dhe se me këtë ruhet sistemi unik i telekomunikacionit, mirëpo nuk e la pa thënë se Serbia është pronar i numrit të telefonit të Kosovës

Marko Gjuriq ka thënë se përkundër që shteti serb është i kënaqur me arritjen e marrëveshjes së telekomunikacionit në Bruksel, ai ka thënë se Serbia është pronar i numrit të telefonit të Kosovës, numër ky që nuk është kod ndërkombëtar, por kod i zonës për një zonë gjeografike, shkruajnë mediat serbe, transmeton Gazeta Express.

Gjuriq ka vënë në dukje se marrëveshja për telekomunikacionin mbron pasuritë e “Telekom Serbia”.

Marko Gjuriq këto i ka thënë në një konferencë për media, ku theksoi se Serbia dhe Qeveria serbe janë të kënaqur me marrëveshjen dhe faktin se “Telekom Serbia” pas shumë vitesh më në fund mund të punojë ligjërisht në Kosovë, dhe se pasuria në territorin e Kosovës duhet të ruhet plotësisht dhe të mbrohet.

Ai tha se marrëveshja e re garanton transferimin e aseteve në një kompani të re në pronësi të “Telekomit”, i cili do të veprojë në Kosovë, sipas Gjuriq.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Serbi, ka theksuar se Serbia ka kërkuar një numër shtesë të telefonit për veten, jo për shtetin, por për zonën gjeografike./GazetaExpress/