Gjykata e Francës shpjegon arsyen e mos-marrjes së vendimit për Haradinajn

Gjykata e Apelit në Francë ka shpjeguar arsyen e shtyrjes së marrjes së vendimit për liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës njëherësh ish-kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj, duke thënë se Prokurori publik francez ka kërkuar informata shtesë nga Serbia lidhur me disa çështje.

“Prokurori publik francez ka kërkuar informata shtesë nga Serbia për disa çështje, duke përfshirë dokumentet e caktuara, si dhe informacion shtesë mbi procedurën penale në Serbi”, ka thënë zëdhënësja e gjykatës, Sandra di Rosa për Tanjug, transmeton Indeksonline.

Ajo ka vënë në dukje se vendimi për rrjedhën e mëtejshme të procedurës do të shpallet me 2 mars , dhe se trupi gjykues në këtë rast  ka tre opsione lidhur me këtë.

“Mund të urdhërohet mbledhja e informacioneve shtesë dhe të kërkohet shqyrtimi i mëtutjeshëm i rastit në seancën e radhës. Gjithashtu është e mundur të refuzohet ose pranohet kërkesë për ekstradim”ka shtuar Rosa.

Sipas saj, në qoftë se Gjykata e Apelit në Colmar jep vendim negativ për Serbinë, ekstradimi i Haradinajt nuk do të jetë i mundur dhe se pas kësaj Haradinaj do të jetë i lirë të largohet nga Franca dhe Serbia do të kishte vetëm të drejtën e apelimit për ankesë lidhur me vendimin.

Megjithatë, në qoftë se Gjykata e Apelit konstaton kushtet për ekstradim të Haradinajt, vendimi përfundimtar për ekstradimin do të merret nga qeveria franceze, ka thënë zëdhënësja e gjykatës.