Gjyshi i Tamarës, atentatori i ish ministrit Todrov

Gjysmë ore para se të dorëzojë postin e ministrit të Shëndetësisë, Nikolla Todorov u përfshi në një tentativë për vrasje me armë zjarri. Sulmin ndaj ish ministrit e kreu gjyshi i vogëlushes Tamara nga Velesi cila dy vite më parë ndërroi jetë duke pritur miratimin e Fondit për Sigurim Shëndetësor që t’i mundësonte shërim jashtë vendit pasi vuante nga deformimi në kurriz. Sipas informatave të para sulmuesi Lupco Stojanovski ka qëndruar një kohë në shkallët e Ministrisë duke pritur paraqitjen e Todorovi. Pak minuta pas orës 12 kur Todorov ishte paraqitur në vendin e ngjarjes sulmuesi ka shtënë tre herë me armë zjarri ndaj tij. Sigurimi i objektit të ministrisë me shpejtësi kanë kapur 60 vjecarin nga Velesi derisa ekipet policore kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë arrestuar të njëjtin. Nga MPB thonë se ende po punojnë në zbardhjen e rastit.

Dënoj ashpër incidentin e sotëm ndaj ish ministrit të Shëndetësisë dhe ish deputetit Nikolla Todorov me armë zjarri. Vitet e kaluara sistemi i drejtësisë ishte i rrënuar. Partizimi dhe politizimi i Institucioneve shtetërore bëri që qytetarët ta humbin besimin dhe të kërkojnë mënyra për të realizuar drejtësinë. MPB do t’i ndërmerr të gjitha masat ligjore të cilat janë në kompetencat e saj për të zbardhur motivet dhe pasojat e incidentit të sotëm- tha ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski.

Nga ana tjetër,  nëna e Tamarës së ndjerë ka thënë se nuk kishte dëgjuar që babai i saj po planifikonte që të bëj një vepër të tillë ndaj Todorovit. Ajo dënoi sulmin ndaj ish ministrit.

Nuk e di as ku gjeti pistoletë babai im. Asgjë nuk na tregoi, e as që po planifikon diçka të tillë të bëj. Në familjen tonë ekziston revolta, por jo deri në atë masë sa të bëjmë tentim për vrasje. Nuk prisja të ndodhë një gjë e tillë, jam e shokuar dhe unë e dënoj sulmin, pavarësisht se është babai im. Gjithë jetën luftoj për drejtësi dhe ja çfarë më ndodhi- tha nëna e Tamarës, Zhaklina Dimovska.

Sulmin e dënoi edhe ministri i ri i shëndetësisë Arben Taravari. Ai premtoi përmirësimin e raporteve mes mjekëve dhe pacientëve.

Kjo është një njollë e zezë për të gjithë shoqërinë, unë jam mjek dhe kjo në përditshmëri ndodh nëpër Klinikat e vendit dhe në ordinance. Edhe ju keni informata e shumë mjek janë rrahur, është gjuajtur mbas mjekëve dhe shpresoj se ky trend I ngjarjeve të ndalet. Puna e parë të cilën do e bëj këto ditë që të nis një fushatë sit a relaksojmë dh eta ndërtojmë raporte të reja ndërmjet mjekëve dhe pacientëve– u shpreh ministër i Shëndetësisë, Arben Taravari.

Vogëlushja Tamara nga Velesi ndërroi jetë duke pritur miratimin e Fondit për Sigurim Shëndetësor që t’i mundësonte shërim jashtë vendit.  Një gjë e tillë nxiti protesta dhe reagime të shumta në opinion gjë që çoi në dorëheqjen e drejtuesve të Fondit.

Vjollca Aliti