GOL DHE AUTOGOL, AJETI I BËN TË DYJA

Mbrojtësi kuqezi, Arlind Ajeti është bërë sërish protagonist për skuadrën e tij, Torinon, në aktivizimin e dytë radhazi si titullar në Serinë A.

Pas gabimit të javës së kaluar ndaj Empolit, Ajeti rikthehet, u preferua sërish nga fillimi i lojës, nga trajneri serb Mihajloviç, në ndeshjen ndaj Pescara-s së legjionarit tjetër, Memushaj.

Qendërmbrojtësi e nisi më së miri ndeshjen duke shënuar në minutën e 10’, pas një rrëmuje në zonën kundërshtare dhe duke çuar në 2-0 rezultatin provizor, por nuk ishte e thënë që gëzimi i tijtë zgjaste gjatë.

Në pjesën e dytë, nga i njëjti pozicion ku shënoi golin, Ajeti këtë herë realizoi në portën e vet, në një tentativë për të larguar një top të ardhur në zonën e Torinos.

Më pas mbrojtësi u bë sërish protagonist të goli i 3-të i Pescara-s pasi nuk largoi si duhet një top nga zona, duke e dërguar te kundërshtari.

Gjithsesi, ekipi i Torinos arriti ta fitojë me rezultatin 5-3, këtë takim, ku u aktivizua për 90 minuta te Pescara, edhe Ledian Memushaj.