Grabitja në Rinas, arrestohen 5 policët e kompanisë private të sigurisë

Policia ka vënë në pranga pesë punonjësit e firmës private të sigurisë të cilët u grabitën këtë të enjte teksa transportonin paratë e Bankës Kombëtare Tregtare, për në aeroportin e Rinasit.
Policia ka dyshime se rojet private mund të jenë të përfshirë në nxjerrjen e informacionit për shumën e madhe të parave që do të transportonin, por edhe në ushtrimin e detyrës së tyre, transmeton Express.

Paratë ishin të ndara në thasë në dy makina të blinduara, ndërsa në Qafë-Kashar pranë Rinasit, atyre ju bë pritë nga dy makina. Katër autorët, të armatosur dhe të maskuar, mundën të marrin thasët me para, pasi aksidentuan fillimisht njërin blind dhe qëlluan me armë ndaj tij duke i shpuar edhe gomat. Të ndjerë nën kërcënim rojet private kanë dalë nga makina e blinduar dhe kanë hapur dyert ku ndodheshin paratë.

Autorët mundën të largohen nga vendi i ngjarjes, ndërsa në Fushë-Prezës pranë Urës së Limuthit, u gjetën të djegura dy makina që dyshohet se janë përdorur prej tyre. Autorët janë larguar më tej me një Benz të zi dhe deri më tani nuk dihet gjë për vendndodhjen e tyre. Postblloqe të shumta të policisë janë ngritur në të gjithë vendin./shqiperiaime.al