Gratë afgane mësojnë artet marciale

Në një majë mali të mbuluar nga dëbora në veri të Kabulit, një grup vajzash afgane praktikojnë lëvizjet e lirshme të Wushu, një sport i zhvilluar nga artet marciale tradicionale kineze – që përfshin tendosjen, përkuljen, dhe goditjet në ajër me shpata me metal të përkulshëm.

Artet marciale të të gjitha llojeve janë të famshme në Afganistan, por vetëm për meshkujt. Është shumë e vështirë për gratë dhe vajzat adoleshente të praktikojnë sportin ose çdo lloj tjetër sporti, në fakt. Shima Azimi është mësuesja 20-vjeçare e Wushu. Ajo filloi ta praktikonte këtë sport në Iran, ku ajo u arratis bashkë me familjen e saj, për t’i shpëtuar konfliktit në vend, vite më parë. Aty, ajo fitoi medalje dhe certifikata në gara. E inkurajuar nga babai i saj, ajo ka rreth 1 vit që jep mësim në Kabul.

Shima Azimi: “Ambicia ime është të shoh studentet e mia vajza të marrin pjesë në lojëra ndërkombëtare dhe të fitojnë medalje për vendin e tyre. Kjo është ambicia ime e madhe.”

Klubi i Shaolin Wushu është në një pjesë të Kabulit, që është shtëpi për komunitetin etnik Hazara. Deri më tani, vajzat në klub vijnë nga grupe që flasin persisht, më së shumti Shiitë, të cilët janë përballur me një seri sulmesh të përgjakshme të marra në përgjegjësi nga militantët e Shtetit Islamik. Traditat e tyre sociale më liberale i japin vajzave më shumë hapësirë që të lëvizin jashtë shtëpive dhe të praktikojnë sporte. Gjithsesi, studentet e Azimit, thonë se ato janë subjekt i talljeve dhe ngacmimeve.

Zahra Timori: “Sfida më e madhe me të cilën përballemi është pasiguria në vendin tonë. Kur shkojmë në klub jemi të pasigurta, ky është një nga shqetësimet tona mbi të bërit sport, prandaj, shumicën e kohës ne nuk kemi guximin për të shkuar në klub,” shprehet 18-vjeçarja.

Babai i Shimës, Rahmatullah Azimi thotë se ai shpreson të shohë më shumë vajza nga grupe të tjera etnike, t’i bashkohen këtij klubi.

Rahmatullah Azimi: “Do të doja që Shima të stërviste të tjera vajza si ajo, për mua do të ishte kënaqësi gjithashtu. Dëshiroj ta shoh Shimën të tërheqë vajza nga grupe të tjera etnike, për të ndarë aftësitë e saj me to gjithashtu.”

Shqetësimet e tij duket se kompensohen nga gëzimi që ai ndjen kur sheh të bijën që stërvit vajza të tjera. Vetë Shima thotë se ajo do të vijojë të mësojë Wushu-në, për të luftuar mentalitetin maskilist në vendin e saj.

Shima Azimi: “Jam e shqetësuar për sigurinë e studenteve të mia sepse ato po zhvillohen ditë pas dite. Siç e dini, jetojmë në një vend ku po ndodhin budallallëqe, ka njerëz që mund t’i kundërvihen grave që përmirësojnë veten, por më pëlqen të luftoj kundër këtij mentaliteti dhe të ec përpara.”