Gripi qe mori jeten e dy femijeve 3 dhe 4 vjeçar nga Kërçova dhe Gostivari

Gripi mori jetën e dy fëmijëve. Sipas analizave të Institutit të Shëndetit Publik dy fëmijët e moshës tre dhe katër vjeçare që humbën jetën një javë më parë, kanë vdekur si pasojë e gripit. Fëmijët e hospitalizuar në Klinikën e Sëmundjeve të Fëmijëve ishin nga Kërçova dhe Gostivari. Njëri prej fëmijëve ka qenë i sëmurë nga paraliza cerebrale ndërsa tjetri nuk ka pasur sëmundje kronike.

Ndërkohë, të dhënat e Institutit thonë se gjatë javës së parë të këtij viti janë paraqitur 8.067 persona të sëmurë nga gripi. Bëhet fjalë për një rënie prej 14,9% krahasuar me javën e mëparshme kur ishin regjistruar 9.485 raste. Megjithatë, nga Instituti i Shëndetit Publik alarmojnë se rreziku nga gripi nuk është ulur ende. Përveç në kryeqytet, një numër i madh i të prekurve nga gripi janë shënuar në Strugë dhe Ohër. Nga Qendra e Shëndetit Publik në Ohër thonë se numri i të sëmurëve është shumë i madh në Ohër, ku vetëm gjatë javës së kaluar janë regjistruar 428 raste të reja. Gjendja është pak më e mirë në Strugë, ku për një javë janë regjistruar 113 persona të sëmurë. Nga kjo Qendër madje sugjerojnë shtyrjen e fillimit të gjysmë-vjetorit të dytë të shkollës.

   Numri i përgjithshëm i të sëmurëve në këtë sezon në rajonin e Ohrit është 799, ndërsa në rajonin e Strugës është 271. Presim nxënësit për një javë të kthehen dhe ato kontakte të afërta ta zmadhojnë numrin e të sëmurëve. Është mirë të shtyhet fillimi dhe pastaj atë mësim ta mbajnë të shtunat – deklaroi Jovanka Koroveshoska, epidemiolog në Qendrën e Shëndetit Publik në Ohër.

Mjekët, nga ana tjetër, thonë se në ambulancat e tyre vërshojnë dhjetëra pacientë në ditë.

 

 Numri i pacientëve në krahasim me vitin e kaluar është rritur për 100%. Të gjitha moshat janë prekur nga virusi. Më e vështirë është gjendja te personat e moshuar dhe te fëmijët e vegjël – shtoi mjeku Haxher Alijet.

Javën e kaluar numri më i madh i të sëmurëve nga gripi ishte shënuar në Shkup./alsatm