Gripi, urdhërohet mbyllja e çerdheve, kopshteve e shkollave

Ministria e Shëndetësisë urdhëron mbylljen e çerdheve, kopshteve dhe  shkollave të arsimit parauniversitar në datat 4, 5, 6, 7 Janar 2017

Gjatë javës së fundit, numri i qytetarëve të paraqitur në qendrat shëndetësore për shkak të përhapjes së virusit të gripit në Shqipëri vazhdon të jetë në rritje, ndërkohë që prej tre ditësh, vendi po përballet me kushtet e motit me temperatura shumë të ulëta, të cilat do të vazhdojnë edhe disa ditë, duke krijuar kushte të favorshme për përhapjen e mëtejshme të virusit.

“Me qëllim kufizimin e mëtejshëm të përhapjes së virusit të gripit në vend për të mbrojtur popullatën nga sëmundjet infektive që kanë impakt në shëndetin e saj, Ministria e Shëndetësisë, në bazë të nenit 7, pika 4 (masa të veçanta) të Ligjit 15/2016 (“Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”), sipas udhëzimeve kombëtare, të përgatitura nga Instituti i Shëndetit Publik, ka urdhëruar sot më datë 03.01.2017, mbylljen e çerdheve, kopshteve dhe shkollave të arsimit parauniversitar në datat 4, 5, 6, 7 Janar 2017” informon ministria.

ISHP rekomandon vaksinimin gjatë të gjithë këtij sezoni të gripit, për të mbrojtur çdo person nga gripi dhe për të parandaluar format e rënda të gripit sidomos tek personat e sipërpërmendur.

Masa të higjenës dhe kontrollit të infeksioneve
– Mbulimi i gojës dhe hundës me shami (mundësisht letre) gjatë kollitjes dhe teshtitjes e cila të hidhet menjëherë në koshin e mbeturinave.

– Të teshtitet apo kollitet duke përdorur gropëzën e bërrylit si mburojë.

– Të mos pështyhet në tokë.

– Larja e menjëhershme, dhe sa më shpesh, e duarve me ujë të rrjedhshëm dhe sapun. ose pastrimi i tyre ato me alkool apo dezinfektantë.

– Mënjanimi i prekjes së syve, hundës dhe gojës.

– Përdorimi i maskave gjatë kollitjes apo teshtitjes, apo në mjedise të mbyllura ku ka grumbullim masiv të njerëzve për një kohë të gjatë.

Masa të distancimit social

– Mënjanimi i kontaktit të ngushtë me njerëzit të cilët janë të sëmurë, pra çdo i sëmurë duhet të mbajë distancë nga të tjerët për ti mbrojtur ata.

– Qëndrimi në shtëpi për çdo të sëmurë.

– Njëkohësisht, në këtë sezon gripi, duhe të përpiqemi të kufizojmë sa më shumë  takimet dhe grumbullimet.

Masa të tjera të kujdesit shëndetësor

– ISHP rekomandon trajtimin me medikamente antivirale për gripin me rekomandimin e mjekut, kryesisht në mjediset spitalore, pasi këto medikamente lehtësojnë shenjat e gripit, kufizojnë kohën e sëmundjes me 1 ose 2 ditë, dhe parandalojnë komplikacionet e gripit si pneumonitë, sidomos në personat që bëjnë pjesë në grupet e përmendura më lart.

– ISHP rekomandon trajtimin simptomatik të gripit sipas rekomandimeve të mjekut.

– Të mos neglizhohet asnjë shenjë e gripit por sidomos vështirësia në frymëmarje e cila kërkon oksigjenim dhe kujdes shëndetësor të menjëhershëm so dhe të funksionojë menjehere sistemi i referimit për kujdes spitalor sipas nevojës.

– Gjatë këtij sezoni të gripit përpiquni të menaxhoni stresin, konsumoni sa më shumë lëngje, fruta dhe sidomos ushqime të shëndetshme dhe përpiquni të jeni fizikisht aktivë.

/Oranews.tv/