Gruaja godet për vdekje me dru bashkëshortin, më pas helmohet

Gjenden të pajetë një çift bashkjëshortësh në Pogradec. Policia bën me dije se rreth orës 00:10 është njoftuar se në fshatin Velçan, në një kasolle pranë banesës së tyre,  janë gjetur të pajetë trupat e dy shtetasve E.T, 26 vjeç dhe F.T, 23 vjeçe,  (bashkëshortë).

Nga hetimet paraprake, dyshohet se këta shtetas gjatë natës janë konfliktuar dhe goditur fizikisht me njëri-tjetrin.

Më pas konflikti ka vijuar edhe jashtë banesës, konkretisht në një kasolle (pronë e tyre) ku shtetasja F.T dyshohet të ketë goditur në kokë, me mjet të fortë (dru) bashkëshortin e saj, i cili për pasojë ka gjetur vdekjen.

Pas këtij veprimi, shtetasja F.T dyshohet të ketë konsumuar helm dhe për pasojë ka gjetur vdekjen edhe kjo e fundit.

Çifti, prindër të dy fëmijëve të mitur

Sipas bluve, konflikti mendohet të ketë ndodhur për motive të dobëta.

Trupat e tyre janë transportuar në morgun e Spitalit të Pogradecit, ku pritet të kryhet autopsia mjekoligjore.

Policia thotë se çifti i bashkëshortëve jetonin vetëm me dy fëmijët e tyre të mitur. Kanë qenë komshinjtë e tyre që kanë njoftuar policinë për ngjarjen e rëndë.

Nga ana e Policisë, po kryhen gjithë veprimet e nevojshme proceduriale dhe po punohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.