Gruaja nga Maqedonia tenton të vetëvritet në Gjermani

Një grua me rrezik për vetvrasje nga Maqedonia, mund të qëndrojë për momentin në Gjermani dhe nuk do të dëbohet së shpejti në këtë shtet ballkanik. Një vendim të tillë e ka sjellë Gjykata administrative në Mannheim, me të cilin ajo e ka ndryshuar vendimin e fillimit të muajit shkurt të Gjykatës administrative në Karlsruhe.

Nuk është e mjaftueshme që autoritetet maqedonase të njoftohen përmes e-mailit për rrezikshmërinë e vetvrasjes së gruas, por duhet pranuar një garancë sigurie obligative, thuhet në vendimin e Gjykatës. Ajo mendon se Gjermania e ka për obligim për të shmangur rrezikun eventual dhe jetën e personit që do të dëbohet, thuhet në një komunikatë të Gjykatës të publikuar të mërkurën, përcjellë „Shtegu.com“.

Me këtë rast, autoritetet gjermane i kanë dërguar një shkresë autoriteteve maqedonase përmes e-mailit, por nga një server i shtetit ballkanik ka ardhur vetëm një përgjigje e gjeneruar automatike. Po që se paraqitet rreziku i përkeqësimit të gjendjes së personit gjatë dëbimit, ekziston mundësia e pezullimit të vendimit për dëbim, për shkak të „pamundësisë ligjore“, thuhet më tej në vendim, i cili është i pakontestueshëm.