Grubi: Barazia nuk cënon askë, gjuha shqipe zyrtare përforcon shtetin

Sot, do të prezentoj para opinionit të gjërë njërën nga shtyllat kyce të Platformës 2020 të Bashkimit Demokratik për Integrim për zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 11 dhjetorit e ajo është rrumbullakësimi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.
Edhepse narativi shoqëror maqedonas ishtë dramatik për ndryshimin e Kushtetutës, Ligjin për Amnesti, Ligjin për ndarje teritoriale, decentralizimi, përdorimin e gjuhës shqipe në shumë instanca shtetërore dhe lokale, përdorimin zyrtar të flamurit kombëtar, themelimin i dy universiteteve shqiptare, punësimin e rreth 25.000 shqiptarëve në administratë, ngritjen e shqiponjës në Cair, dhe shumë proekte të tjera kombëtare të BDIsë, prap se prap, asgjë e keqe nuk i ndodhi as Maqedonisë e as popullit Maqedonas.
Përkundrazi, shoqëria jonë u bë më e barabartë, më tolerante dhe me kohezive dhe si rezultat i këtyre të arriturave, Maqedonia fitoi statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE dhe u vlerësua si shembull i zbatimit të një marrëveshje paqeje.
Pikërisht kjo do të ndodh përsëri me miratim e një ligji të vecantë për përdorimin  e gjuhës shqipe në përbërjen e re parlamentare. Maqedonia do të bëhet edhe më e fortë, më e barabartë.
Sa i përket rregullativës kushtetuese, gjuha shqipe është gjuhë e dytë zyrtare, mirëpo përvoja shumëvjeçare po dëshmon se në praktikë, që të dyja partitë kryesore maqedonase kanë cënuar kushtetuën duke mos treguar gatishmëri për ta rrumbullakësuar këtë cështje të ngelur pa u përfunduar nga Marrëveshja e Ohrit.
Prandaj, shtyllë kyçe e programit zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim është pikërisht rregullimi i përdorimit të gjuhës shqipe me gjuhën tjetër zyrtare edhe atë në të gjitha nivelet në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit.
Partitë maqedonase duhet të angazhohen për ligjshmëri dhe rrjedhimisht ta zbatojnë amendamentin V tënenit 7 të Kushtetutës i cili është shumë i qartë dhe ajo që ka nevojë është harmonizimi i rregullativës ligjore me kushtetutën.
Edhepse përdorimi i gjuhës shqipe u avancua dy herë rradhazi nga ana e BDIsë, rregullativa e tashme ka disa kufizime për disa nivele të pushtetit, si parlament, gjyqësi, ekzekutiv, pushtet lokal, por ka edhe konfuzion edhe lidhur me përdorimin individual.
Nevoja për ndryshim të kornizës ligjore rrjedh edhe nga analiza kuantitative dhe kualitative e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit e cila u realizua mepërkrahje të komunitetit ndërkombëtar dhe ishte kërkesë e Komisionit Evropian.
Duke i pasur parasysh të gjitha vërejtjet, Bashkimi Demokratik për Integrim, gjatë qeverisjes në periudhën 2016 – 2020, angazhohet për sa vijon:
– të zbatohet Marrëveshja e Ohrit dhe Kushtetuta dhe të pranohet gjuha si një element i rëndësishëm i identitetit dhe si një mjet për forcimin e identifikimit me shtetin dhe nxitjen e mirëkuptimit ndërmjet bashkësive.
– të sillet një ligj më gjithëpërfshirës për përdorimin e gjuhëve, i cili do të ishe i harmonizuar  me AmendamentinV të nenit 7 të Kushtetutës.
-të rregullohet e drejta e të gjithë qytetarëve për t’iu drejtuar institucioneve qendrore edhe në gjuhën shqipe, pavarësisht nga vendbanimi i tyre, e drejta e përkthimit të legjislacionit sekondar në shqip, lëshim me automatizëm të dokumenteve personale në gjuhët zyrtare për qytetarët e komunitetit shqiptar, kryesim me seancat parlamentare në gjuhën shqipe, të sqarohen dispozitat gjuhësore në Ligjin e Vetëqeverisjes Lokale, përfshirë Qytetin e Shkupit, standardizim i përdorimit të gjuhëve zyrtare për të gjitha shenjat publike, zbatim të plotë dhe promovim të të drejtave gjuhësore në sektorin gjyqësor.
Në aspektin praktik do të jetë e nevojshme edhe për disa forma institucionale të cilat do ta rrisnin cilësinë e përdorimit të gjuhës shqipe edhe atë:
-monitorim dhe mekanizma të mbikëqyrjes për zbatimin e tij, për shembull duke ri-krijuar një grup punues ndër-ministror.
-krijimi i qendrave rajonale të përkthyesve dhe interpretuesve për të mbështetur autoritetet lokale
– themelimi i institucioneve për monitorim te përdorimit te gjuhës, për kontroll të standardit dhe cilësisë dhe sanksionim të keqpërdorimeve ose përdorimit joadekuat te gjuhës shqipe.
Për në fund, më lejoni ju lutëm që të them se askush nuk duhet të frikësohet nga babarësia që po vie pas 11 dhjetorit.