Grubi: Dygjuhësia do të ndihmojë shqiptarët ekonomikisht

Përmes barazisë së gjuhës shqipe, nuk do të arrihet vetëm përfitim politik dhe më shumë të drejta për shqiptarët, por do përfitohet edhe ekonomikisht. Kështu deklaroi z. Artan Grubi, bartësi i listës për njesinë zgjedhore nr.2. z. Grubi, në Konferencën Ekonomike të BDI-së, ku u promovua shtylla kryesore e fushatës, ajo e Zhvillimit dhe Barazisë Ekonomike, tha se përmes barazisë gjuhësore, qasja e shqiptarëve në tregun e punës do jetë më e lehtë, duke i’u garantuar atyre mirëqenie më të mirë sociale dhe ekonomike.
“Një nga pesë Përbetimet e fushatës së BDI-së është dygjuhësia në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën, si dhe barazia e gjuhës shqipe. Kjo nuk paraqet vetëm përfitim politik dhe realizim të të drejtave të shqiptarëve, por edhe përfitim të rëndësishëm ekonomik, i cili shqiptarëve do t’u sigurojë punësim më të lehtë në administratën publike, përparim më të lehtë të karrierës në kuadër të së njëjtës si edhe kushte më të mira dhe pozita më të mira në tregun e forcës së punës, si në shtëpi ashtu edhe në rajon. Kjo, do t’u sigurojë shqiptarëve më shumë punësime, paga më të larta, mundësi ekonomike më të madhe për sipërmarrësit, aktivitet ekonomik më të madh për afaristët ose në përgjithësi, standard më të lartë për Shqiptarët në Maqedoni.
Z. Grubi gjithashtu tha se me arritjen e barazisë gjuhësore do të bëhet përmbushja e Përbetimit kryesor, zhvillimit dhe barazisë ekonomike të shqiptarëve dhe do dëshmohet se BDI-ja vazhdon të punojë në të mirën e shqiptarëve dhe tërë vendit.