Grubi: Me rëndësi është që BDI të zbatojë atë që duan shqiptarët

Deputeti i BDI-së Artan Grubi pas dhënies së nënshkrimve LSDM-së Zaevit thotë se për BDI-në gjithmonë ka qenë e rëndësishme përmbajtja e jo forma, përcjell TetovaSot.  Ai thotë se për BDI-në me rëndësi është  që të zbatojë atë që duan shqiptarët, ndërsa pjesëmarrja në ekzekutiv ose mbetja në përkrahje të një qeverie pakice do tē diskutohet më pas.

Për ne gjithëmonë ishte më e rëndësishme përmbajtja dhe jo forma. Përmbajtja ishin të arriturat e shqiptarëve, ndërsa forma ishte dhënia e nënshkrimeve ose edhe pjesëmarrja në qeveri. Pas arritjes së imponimit të plotë dhe të pakushtëzuar të ligjit tonë për gjuhën shqipe dhe zbatimit të të gjitha pikave të Deklaratës së Përbashkët Shqiptare, nënshkrimet janë vetëm formalitet. Me rëndësi është që ne të zbatojmë atë që duan shqiptarët, ndërsa pjesëmarrja në ekzekutiv ose mbetja në përkrahje të një qeverie pakice do tē diskutohet më pas sepse parësore për ne janë të arriturat shqiptare si parakusht absolut” ka shkruar Grubi

Mbrëmë Bashkimi Demokratik për Integrim  në mbledhjen e mbajtur të Kryesisë Qendrore në selinë në Reçicë të Vogël, votoi për mbështetje të LSDM-së për formimin e Qeverisë.

Ndryshe për sot LSDM ka caktuar mbledhje të Komitetit Ekzekutiv Qendror, ku do të vendoset se kush do të jetë mandatari për formimin e Qeverisë.