Grubi: Parimi fituesi me fituesin duhet të rrespektohet

Në periudhën e mosrespektimit të vullnetit të shqiptarëve dhe uzurpimit të institucioneve 2006-2008 punoja për NATOnë.

Në atë cilësi, kisha mundësinë që të marrë pjesë në disa nga takimet që i paraprin marrëveshjes së majit 2007, ndërsa procesin e dialogut politik e lehtësuan BE dhe SHBA në takime të shumta të përbashkëta.

Kriza që përfundoi me marrëveshjen e majit ndodhi si pasojë e injorimit të fituesit shqiptar në zgjedhjet e vitit 2006.

Shqiptarët kërkuan që të respektohet vota e tyre, fituesi shqiptar i zgjedhjeve dhe ato vet ta përcaktojnë përfaqësuesin në qeveri, e jo maqedonasit. Edhe komuniteti ndërkombëtar ishte i po të njejtit mendim.

Parimi fitues me fitues, si e drejtë zakonore tashmë dhe si elementi i vetëm që e përcakton këtë shtet si binacional, shtet të dy shumicave, institucionet e së cilit ndërtohen nga përfaqesuesit legjitim të dy komuniteteve, shqiptar dhe maqedonas, ishte kryefjala dhe arsyeja e marrëveshjes së majit, e cila në fund edhe u firmos.

Duke gjurmuar në dokumentet e mia gjeta këto versione, me dorëshkrime të mia si dhe të disa përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar, mbi idetë që propozoheshin për tu përfshirë në marrëveshjen e 29 majit 2007.

Kjo marrëveshje u zbatua rrjedhimisht pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2008, 2011 dhe 2014.

Pa marrë parasysh kontekstin e zgjedhjeve të 11 dhjetorit, unë e kam të vështirë ta kuptoj dhe arsyetoj histerinë euforike të disa mediave duke u rreshtuar haptazi partiakisht dhe duke u përpjekur që t’ia imponojnë vendimin politikbërësit dhe njëkohësisht t’ia formësojnë opinionin qytetarit.