Gruevski kërkon 63 deputetë që ta pengoj dygjuhësinë

Kryetari i VMRO DPMNE-së Nikolla Gruevski në tubimin partiak në sallën Boris Trajkovski në Shkup kërkoi fitore të fuqishme në zgjedhjet e radhës edhe atë me 63 deputetë. Gruevski në mënyrë të hapur tha se ka nevojë për mbështetjen e 63 deputetëve me qëllim që ta pengojë dygjuhësinë që e promovon LSDM-ja por edhe pazaret me interesat shtetërore.

“Janë të gatshëm të heqin dore prej shumë gjerave, vetëm për të fituar një deputet më shumë. Janë të gatshëm edhe për dygjuhësi të plotë vetëm për të fituar një deputet më shumë, janë të gatshëm të përulen dhe t’i shesin interesat e shtetit. Për këtë arsye duhet ti fitojmë me 63 deputetë”, deklaroi Nikolla Gruevski.

Gruevski konsideron se pjesëmarrja e opozitës në qeveri nuk ka kontribuar për përmirësimin e cilësisë së institucioneve. Gruevski as këtë herë nuk shmangi kritikat në adresë të Prokurorisë Speciale.

“Planifikojnë se nëse na vërshojnë me konferenca spektakolare për media me hetime dhe aktakuza, ftesa për tu paraqitur në gjykatë pa kurrfarë baze ligjore, se në këtë mënyrë do ta ndryshojnë mendimin e popullit që LSDM-ja ti fitojë zgjedhjet, unë do ti kisha porositur që të gjitha që duan të vijnë në pushtet në mënyrë të pandershme, se jo vetëm që nuk do ta arrijnë qëllimin por sa më shumë që tentojnë me mënyra të këtilla, aq më e madhe do të jenë fitorja e VMRO-së dhe koalicionit për Maqedoninë më të mirë”, tha Gruevski.

Tubimi masiv partiak u mbajt në prani të zyrtarëve të lartë të pushtetit, por edhe anëtarësisë nga tërë Maqedonia. Ndonëse sot është ditë jo pune, organizimi masiv i mbështetësve të Gruevskit e bllokoi qytetin e Shkupit me orë të tëra.

Alsat-M